Connect with us

Kronike

Nuk arrestuan shtetasin…, pezullohen dy nënkomisarët

Dy  nënkomisarë të Policisë së Elbasanit janë pezulluar nga detyra pasi akuzohen se kanë lënë t’u ikë nga “duart” një i shumëkërkuar nga Policia. Agjencia e Mbikqyrjes Policore ka bërë me dije se nga detyra janë pezulluar nënkomisari Ulian Shpataraku, 37 vjeç, me detyrë Shef i Seksionit të Trafiqeve të Paligjshme dhe Narkotikëve dhe nënkomisarja Sovjona Kapllanaj, 45 vjeçe, me detyrë Specialiste pranë Seksionit të Trafiqeve të Paligjshme dhe Narkotikëve. Të dy, dyshohet se nuk i kanë zbatuar procedurat standarde për ndalimin e një shtetasi në kërkim policor. Por nuk bëhet me dije se cili është personi i shumëkërkuar nga Policia, i cili u la dje të shkonte i lirë.

NJOFTIMI I PLOTË:

Elbasan – Drejtoria Rajonale e AMP Elbasan ka ekzekutuar vendimin penal dhënë nga Gjykata e Shkallës së Parë Elbasan, datë 11.09.2022, për caktimin e masës së sigurimit personal me karakter ndalues “Pezullim i ushtrimit të një detyre a shërbimi publik” në ngarkim të punonjësve të policisë: – Nënkomisar U.SH, 37 vjeç, me detyrë Shef i Seksionit të Trafiqeve të Paligjshme dhe Narkotikëve në DVP Elbasan; – Nënkomisare S.K., 45 vjeçe, me detyrë Specialiste pranë Seksionit të Trafiqeve të Paligjshme dhe Narkotikëve në DVP Elbasan. 

Ata janë pezulluar në kuadër të procedimit penal nr.1200, viti 2022, të Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Elbasan, i ndjekur nga AMP Elbasan nën drejtimin e kësaj Prokurorie. Dyshohet se në shpërdorim të detyrës, këta punonjës policie nuk kanë zbatuar procedurat standarde për ndalimin e një shtetasi në kërkim policor. AMP mbetet e përkushtuar në misionin e saj për garantimin e zbatimit të ligjit dhe fton qytetarët të denoncojnë çdo rast të abuzimit apo shkeljes së ligjit nga ana e punonjësve të Policisë së Shtetit, duke telefonuar në numrin e gjelbër 0800 90 90.

Advertisement