Politike
“Nuk do paguani vjedhjet e Ramës…”/ Berisha thirrje himariotëve
Kreu i Partisë Demokratike Sali Berisha i është drejtuar mbrëmjen e sotme me thirrjen për të votuar kandidatin e opozitës, qytetarëve të Himarës. Berisha tha se Vangjel Tavo fshihen interesat personale, pasurore në Gjipe dhe në zona të tjera të klanit më të rrezikshëm mafioz të Europës, sipas tij, klanit Rama. Ai shtoi se pas tunelit të Llogarasë fshihen interesa mafioze, me të cilat u vodhën 50 milionë euro nga mafia shtetërore shqiptare dhe ndërkombëtare.
Pjesë nga fjala e Berishës:
Miqtë e mi, o sot o kurrë, duhet të ngrihemi për qeveri teknike. Edi Rama ka bërë gjithçka që të përdorë qindra e qindra milionë para të taksapaguesve vitin e ardhshëm për të rrëmbyer mandatin e katërt, mandatin e krimit.
Të dashur miq, gjithçka varet dhe përcaktohet nga vullneti ynë, nga guximi ynë, nga vendosmëria jonë. Është në duart tona, në trimërinë dhe guximin tonë që të përmbysim qeverinë e Edi Ramës dhe Belinda Ballukut për të çelur rrugën e zgjedhjeve të reja.
Të dashur miq, në emër tuaj u bëj thirrje zgjedhësve të Himarës të votojnë kandidatin e opozitës. U garantoj, garantoj çdo banor të Bregut se prapa Vangjel Tavos fshihen interesat personale, pasurore në Gjipe dhe në zona të tjera të klanit më të rrezikshëm mafioz të Europës, klanit Rama. Edi dhe Olsi Rama. Banorëve të Himarës, i ftoj në mençurinë e tyre të mos ia dorëzojnë Himarën kryemafiozit të Shqipërisë dhe Europës, Edi Ramës.
I sqaroj se është e vërtetë që unë, Sali Berisha, nuk do ndërtoja kurrë tunelin e Llogarasë sepse nuk ka zyrtar në botë që mund t’i lejojë vetes të investojë 45 mijë euro për një shtrat turistik. Por nga ana tjetër, u them banorëve të Himarës se për çdo udhëtar, se për çdo turist, Himarën asgjë në mënyrë më madhështore nuk e paraqet se Qafa e Llogarasë që ky ia lidhi sytë me tunelin e Llogarasë.
Himariote e himariotë, pas tunelit të Llogarasë fshihen interesa mafioze, me të cilat u vodhën 50 milionë euro nga mafia shtetërore shqiptare e Edi Ramës dhe ndërkombëtare. Fshihen ata të cilët me baule i çuan Edi Ramës eurot për një tunel që unë e kisha refuzuar dhe do e refuzoja. Por një gjë ta keni të qartë, vota për opozitën është votë për asnjë qindarkë për tunelin. Nuk do paguani ju vjedhjet e Edi Ramës dhe Belinda Ballukut.
Nuk do paguani ju vjedhjen e tmerrshme ndërkombëtare në tunelin e Llogarasë. Do e paguajë Edi Rama, Belinda Balluku, mafia ndërkombëtare!