Kosova
Nuk duam problem në Rajon/ Flet Ambasadori amerikan
Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Bosnje e Hercegovinë, Michael Murphy, ka thënë se shteti që ai përfaqëson do të vazhdojë që të vendosë sanksione ndaj aktorëve politikë që bëjnë veprime anti-Dejton dhe antidemokratike.
“Sanksionet janë një mënyrë për t’i mbajtur individët ose bizneset, përgjegjës për sjellje anti-Dejton dhe antidemokratike. Ne do të vazhdojmë ta përdorim këtë armë” – ka thënë Murphy, pak kohë pasi që ShBA-të kanë sanksionuar fëmijët e Presidentit ultra-nacionalist të Republikës Srpska – Millorad Dodik – edhe ky po ashtu i sanksionuar.
Duke potencuar se interesi i ShBA-së është një Bosnje Hercegovinë “e begatë, paqësore, brenda institucioneve euroatlantike”, diplomati amerikan ka theksuar se vendi i tij nuk dëshiron një konflikt të ri , “ndarje të reja apo probleme në rajonin e gjerë të Ballkanit Perëndimor”.
“Kur vërejmë se politikanë, parti apo aktorë të tjerë po punojnë kundër këtyre interesave, të cilat janë interesa të përbashkëta për ne dhe qytetarët e Rajonit, ne reagojmë..” – pohoi Murphy.
Duke folur për zyrtarët në Bosnje dhe Hercegovinë, të cilët tashmë i janë nënshtruar sanksioneve amerikane, dhe vazhdojnë ende të mbajnë poste të larta dhe vazhdojnë të njëjtën politikë de-stabilizuese, ai vlerësoi se prokuroritë dhe gjykatat vendore duhet t’i mbajnë ata individë përgjegjës.
Sipas tij, kjo nuk do të thotë se SHBA-të nuk do të veprojnë kur ta gjykojnë të përshtatshme.