Connect with us

Bota

‘NUK ËSHTË LUFTA JONË’/ Zyrtari i lartë amerikan jep dorëheqjen, sfidon hapur Trump

Një nga zyrtarët më të lartë të kundërterrorizmit në SHBA, Joe Kent, ka dhënë dorëheqjen nga posti i drejtorit të Qendrës Kombëtare Kundër Terrorizmit, duke kundërshtuar hapur luftën me Iran dhe politikat e administratës së Donald Trump.

Në një deklaratë publike, Kent theksoi se nuk mund të mbështesë një konflikt që, sipas tij, nuk është në interes të SHBA-ve.

“Nuk mund ta mbështes me ndërgjegje të pastër luftën në Iran. Irani nuk përbënte një kërcënim të menjëhershëm për vendin tonë”, u shpreh ai.

Kent shkoi më tej duke pretenduar se lufta është nxitur nga presioni i Izraelit dhe ndikimi i lobit të tij në SHBA. Ai argumentoi se administrata ishte “dezinformuar” për të besuar se ekzistonte një kërcënim urgjent nga Irani dhe se një ndërhyrje ushtarake do të sillte një fitore të shpejtë.

Në letrën e dorëheqjes, ai i kujtoi Trump-it premtimet e tij të mëparshme për të shmangur luftërat e gjata në Lindjen e Mesme, duke theksuar se konfliktet e tilla kanë kushtuar jetë njerëzish dhe kanë dëmtuar ekonominë amerikane.

Referenca ndaj përvojës personale

Kent, një veteran me 11 dislokime në zona lufte dhe bashkëshort i një ushtarakeje të vrarë në mision, theksoi se nuk mund të mbështesë dërgimin e një gjenerate të re në një luftë që, sipas tij, “nuk i shërben interesave të popullit amerikan”.

Ai paralajmëroi se SHBA-të rrezikojnë të përsërisin gabimet e së kaluarës, duke bërë një paralelizëm me luftën në Irak, të cilën e cilësoi si një konflikt të nxitur mbi baza të gabuara.

Një sinjal përçarjeje në administratë

Dorëheqja e Kent përbën një sinjal të fortë përçarjeje brenda aparatit të sigurisë kombëtare amerikane, në një moment kur lufta me Iranin po intensifikohet dhe po ndikon në stabilitetin global dhe tregjet e energjisë.

Ky zhvillim pritet të rrisë presionin politik mbi administratën Trump, ndërsa debati mbi arsyet dhe kostot e konfliktit po bëhet gjithnjë e më i ashpër brenda SHBA-ve.

Advertisement