Connect with us

Politike

“Nuk është përgjegjësia ime që…”/ Berisha: Dhashë dorëheqjen dhe Basha erdhi pas meje

Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka komentuar sërish çështjen e drejtimit të PD-së dhe nevojën për një lidership të ri, duke theksuar se ai vetë e ka bërë një hap të tillë në të kaluarën, pas humbjes së zgjedhjeve parlamentare të vitit 2013.

Duke iu përgjigjur pyetjes nëse partia duhet t’i hapë rrugë një gjenerate të re përballë regjimit aktual, siç ai e cilëson, Berisha kujtoi: “Unë kam menduar dhe e kam bërë realitet atë. Unë e kam bërë realitet.”

Ai shtoi se pas dorëheqjes së tij, në krye të PD-së erdhi një drejtues i ri – Lulzim Basha, i cili, sipas Berishës, u zgjodh nga anëtarësia dhe jo nga ai vetë.

“Kjo pyetje nuk më shtrohet mua dot, se unë kur humba një palë zgjedhje që nuk ishin farsë, unë dhashë dorëheqjen. Dhe një i ri erdhi pas meje. Nuk e zgjodha unë atë, atë e zgjodhi anëtarësia e PD,” – u shpreh ish-kryeministri.

 

 

Ai theksoi se pas zgjedhjes, e mbështeti Bashën, duke nënvizuar se përgjegjësia për atë që e pasoi nuk i takon atij. “Është tjetër problem se çfarë përfaqësimi bëri ai për gjeneratën e vet. Nuk ishte përgjegjësia ime ajo,” deklaroi Berisha.

Sali Berisha: Unë kam menduar dhe e kam bërë realitet atë. Unë e kam bërë realitet. Kjo pyetje nuk më shtrohet mua dot, se unë kur humba një palë zgjedhje që nuk ishin farsë, unë dhashë dorëheqjen. Dhe një i ri erdhi pas meje. Nuk e zgjodha unë atë, atë e zgjodhi anëtarësia e PD. Pasi u zgjodh, unë e mbështeta sepse unë isha thjesht një anëtar partie luajal i forcës time politike.

Por nuk mund të mos thuash se nuk ishte i ri. Ishte i ri. Është tjetër problem se çfarë përfaqësimi bëri ai për gjeneratën e vet. Nuk ishte përgjegjësia ime ajo. Të tjerë ka me mijëra sepse unë kurrë nuk besoj në të pazëvendësueshëm. Por pyetja që më bëtë, unë jam njeriu që e kam provuar dhe e kam faktuar.

Dhe kam vepruar shumë drejt. Unë nuk udhëhiqem nga paragjykimi. Mendova se një gjeneratë e re do ishte një shans i madh për forcën politike.

Advertisement