Connect with us

Kosova

Nuk falet lehtë nga SHBA/ ‘Kurti me deklarata kamikaze…’

Për njohësit e marrëdhënieve ndërkombëtare kundërpërgjigja e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurtit ndaj deklaratave të Sekretarit Amerikan të Shtetit, Antony Blinken – në një situatë ku raportet Kosovë-SHBA janë të acaruar –  duke e cilësuar këtë të fundit “naiv” e deklaratën e tij të “gabuar, të padrejtë e lënduese”, është brutale dhe agresive.

Për sociologun dhe analistin politik, Artan Muhaxhiri, artikulimi i kryeqeveritarit në një medium prestigjioz ndërkombëtar nuk është asgjë tjetër veç kamikazllëk politik.

Kjo qasje e Kurtit ndaj Blinken, sipas Muhaxhirit, nuk ka logjikë politike, sepse s’është e bazuar në pushtetet reale të shtetit të Kosovës, as në ndonjë strategji për ndryshime fundamentale të orientimeve vlerore dhe krijim të aleancave të reja.

……………. Lidhur me sjelljen politike ndaj Antony Blinken, Artan Muhaxhiri është shprehur se “Administrata amerikane nuk do t’ia falë këtë mosrespekt të shprehur në mediat globale, përkundër kontakteve e tentimeve preliminare për marrëveshje dhe ekzistimit të hapësirave dialoguese”. Sipas analistit politik, ndoshta me deklaratën e dhënë ndaj Sekretarit Amerikan të Shtetit– nga një perspektivë mitomanike – Albin Kurti synon të pozicionohet në historinë politike kosovare si liderë që u kacafytë dhëmb-për-dhëmb me Amerikën.

“Në çdo skenar të ardhshëm Kryeministri Kurti do të dalë humbës: nëse e vazhdon këtë këmbëngulje do ta minojë edhe më shumë imazhin e tij në sytë e partnerëve ndërkombëtarë, kurse në rast të zmbrapsjes do të dëshmojë se kjo aventurë ishte vetëm naivitet i rrezikshëm. Tensionet nuk mund të vazhdojnë gjatë”.

Gjithë në këtë mes, sipas Muhaxhirit, gjasat më të mëdha janë që Kurti të aplikojë ndonjë gjetje kozmetike shumëkuptimshme, e cila do t’i shtrohej si urë afatshkurtër për ta kaluar këtë bllokadë që ka shkaktuar probleme të panumërta në dialog dhe planifikimet e dinamikave të pastajme.

Advertisement