Connect with us

Politike

“Nuk ka kurrë moshë mbrojtja e së vërtetës!” Berisha: Prandaj kundërshtarët janë shfazuar

– Kreu i Partisë Demokratike Sali Berisha ka marrë pjesë sot në një konferencë për shtyp ku tha se nuk ka kurrë moshë mbrojtja e së vërtetës. Berisha tha se në qoftë se ka një politikan në këtë tokë, që ka dëshmuar qëndrime të pamposhtura në respekt të parimeve themelore të një sistemi demokratik, është ai vetë.

Kryedemokrati tha se ai u ngrit pasi ishte larguar, humbi zgjedhjet, dha dorëheqjen pa asnjë imponim nga askush, por, sipas tij, bëri një detyrë dhe mori një vendim të drejtë. Gjithashtu Berisha tha se ky që po bën është një mision dhe prandaj kundërshtarët, sipas tij, janë të shfazuar.

Pjesë nga fjala e Berishës:

Në qoftë se ka një politikan në këtë tokë, që ka dëshmuar qëndrime të pamposhtura në respekt të parimeve themelore të një sistemi demokratik, është Sali Berisha. Dhe unë po i heq të gjitha mënjanë, përmbysjen e diktaturës komuniste, ndërtimet e institucioneve të reja të rendit demokratik, anëtarësimin e Shqipërisë në NATO, kalimin nga sistemi më hiperkolektivist në ekonominë e tregut, kalimin e Shqipërisë nga vendi me të ardhura të ulëta në grupin e vendeve me të ardhura të mesme të larta, lëvizja e lirë dhe marrja e rekomandimit për statusin e kandidatit për në BE, MSA, transformimi tërësor i infrastrukturës rrugore të vendit, dy projektet e shekullit, TAP dhe Devolli, po i lëmë këto të gjitha, por po marr vetëm dy.

Sali Berisha u ngrit pasi ishte larguar, humbi zgjedhjet, dha dorëheqjen pa asnjë imponim nga askush. Por bëri një detyrë dhe mori një vendim të drejtë. Humbi zgjedhjet, dha dorëheqjen, dha dorëheqjen edhe nga çdo funksion në parti. A nuk ishte ky një akt madhor në favor të demokracisë? Edi Rama me Xhorxh Sorosin, me armiqtë e egër të demokracisë shqiptare, sanksionoi Sali Berishën, dhe meqë e kishin pa asnjë fakt, bazë apo dokument, kërkuan që ta rëndonin atë politikisht, të kontrollonin PD-në. Kush u ngrit? Sali Berisha u ngrit pikërisht për të thënë jo. PD-në nuk do e kontrollojë kush kurrë përveç anëtarëve të saj. Kryetarin e saj. A nuk janë këto kontribute madhore të atij Sali Berishe që ishte tërhequr nga jeta politike?
Po pse nuk e bëri dikush tjetër? Fatos Nano nuk u ngrit, dha dorëheqjen, por të dytën më ka takuar ta bëj vetëm unë.
Kjo është e vërteta.

Mund të kesh 30 vite, por varet nga kulmet që ke mbrapa. Këto janë kulme, këto janë maja frymëzime. Çfarë tregojnë këto të dytat? Tregojnë mision. Dhe kjo që po bëj është mision. Ky është një mision dhe prandaj janë të shfazuar. Në qoftë se i sheh, një tërbim dhe një verbëri gjer në primitivizëm. Përpiqen me çdo kusht të mbrojnë farsën, ish-njerëz të lidhur me krimin politik, me krimin ordiner, njerëz që paguhen nga narkoshteti dhe borderotë e tij, nga mëngjesi gjer në darkë përpiqen të mashtrojnë shqiptarët. Sali Berisha po i kundërvihet kësaj propagande në mënyrë të përditshme për të mbrojtur të vërtetat para shqiptarëve dhe komunitetit ndërkombëtar. Nuk ka moshë kurrë mbrojtja e të vërtetës. Njeriu i qytetëruar, të vrtetën duhet të mbrojë gjer orën e fundit të jetës së tij. Ky duhet të jetë raporti i tij me të vërtetën, pavarësisht nga çcmimi që paguan.

Imagjinoni nëse nuk do bëheshin këto konferenca të përditshme, do lexoje poezitë e këtyre llum-intelektualëve, duke hymnizuar mandatin e katërt të Edi Ramës. Se për ata, këta nuk janë qenie njerëzore. Këta që flasin nuk kanë pse të votojnë. Këta janë qenie inferiore. Është një situatë komplekse, por kësaj here e përshkruar. Nuk po qëndroj kot unë kundër sepse është raporti i komunitetit ndërkombëtar që i kushton 5 faqe fushatës dezinformuese të medias, kontrollit qeveritar të medias. Dhe unë çdo ditë do mbroj të vërtetat sepse ky është interesi më i mirë i shqiptarëve.

Advertisement