Kosova
‘Nuk ka shans që Asociacioni të jetë në përputhje me Kushtetutën’
Profesori universitar Milazim Krasniqi ka kërkuar nga Qeveria e Kosovës të tregojë realitetin e hidhur për draftin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, dhe ka theksuar se nuk ka asnjë shans që Asociacioni të jetë brenda Kushtetutës së Kosovës.
Në profilin e tij në “Facebook”, Krasniqi ka shkruar se është për keqardhje fakti që për këtë çështje qytetarët e Kosovës po informohen nga presidenti i Serbisë.
“Më korrekte është të na thuhet nga qeveria jonë, e vërteta e hidhur, se sa të përhapen gënjeshtra të ëmbla. Është për keqardhje që të vërtetën për këtë gjë detyrohemi ta hulumtojmë te deklaratat e Vuçiçit e të mos e dëgjojmë nga kryeministri ynë” – potencoi Krasniqi, duke thënë se Albin Kurti, me deklaratat e tij po fsheh mashtrimin, manipulimin dhe gënjeshtrat për asociacionin.