Connect with us

Bota

Nuk më plas fare nëse e quajnë krim lufte/ Deklarata shokuese e JD Vance për operacionin ndaj ‘kartelit’ venezuelian

Zëvendëspresidenti amerikan JD Vance mbrojti përdorimin e Ushtrisë amerikane të shtunën për “vrasjen e anëtarëve të kartelit” që sjellin drogë në Shtetet e Bashkuara, duke hedhur poshtë një kritik, i cili pohoi se një sulm ajror i kohëve të fundit ndaj një anijeje që dyshohet se trafikonte drogë ishte një krim lufte.

“Vrasja e anëtarëve të kartelit që helmojnë bashkëqytetarët tanë është përdorimi më i lartë dhe më i mirë i Ushtrisë sonë”, shkroi Vance në median sociale X. Ai më pas u përfshi në një debat me Brian Krassenstein, një influencues dhe podkaster i mediave sociale anti-Trump, i cili tha se “vrasja e qytetarëve të një kombi tjetër që janë civilë pa asnjë proces të rregullt quhet krim lufte” – “Nuk më plas se si e quani ju”, u përgjigj Vance.

Ndërveprimi midis zëvendëspresidentit dhe një kritiku vjen disa ditë pasi administrata Trump urdhëroi një sulm ajror kundër një anijeje të dyshuar për drogë që po largohej nga Venezuela, të cilën Presidenti Donald Trump tha se kishte për qëllim grupin venezuelian Tren de Aragua, duke vrarë 11 trafikantë të dyshuar.

“Ju lutem, le të shërbejë kjo si njoftim për këdo që mendon të sjellë drogë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. KUJDES!”, shkroi presidenti në Truth Social.

Dy zyrtarë të lartë të administratës, Sekretari i Shtetit Marco Rubio dhe Sekretari i Mbrojtjes Pete Hegseth, kanë theksuar se sulmi i kryer në Karaibet jugore nuk do të jetë i vetëm.

“Kemi asete në ajër, asete në ujë, asete në anije, sepse ky është një mision serioz vdekjeprurës për ne dhe nuk do të ndalet vetëm me këtë sulm”, tha Hegseth në Fox News të mërkurën. “Kushdo tjetër që trafikon në ato ujëra, të cilin e dimë se është një terrorist i caktuar i drogës, do të përballet me të njëjtin fat”.

Advertisement