Shkrime
Nuk mund të shpikësh një Bashë të ri, duhet PD e re
Nga Ben Andoni
Ka një logjikë në vendin tonë, që po të jesh kreu i njërës prej dy partive të mëdha, PS dhe PD, patjetër që do kesh radhën të bëhesh kryeministër i vendit. Berisha vazhdon në aksionin e tij politik të sforcuar të mëtojë se do të jetë kryeministër i vendit (!), paçka se çdo ditë e më shumë bëhet e pamundur edhe matematikisht. Nuk e lejon logjika normale, nuk e lënë aksionet e grupimit politik që mban, që ka aksionet më të mëdha të PD-së së sotme, por që të gjitha bashkë nuk i mjaftojnë të vijë në pushtet. Rama e nisi nga shumë poshtë dhe në kohën dhe në vendin e duhur, socialistët e besuan që do t’i sillte në pushtet. Falë dhe patericës së Ilir Metës, ai erdhi për të mos ikur. Është në mandatin e tretë qeverisës, me parametra ekonomikë-socialë, që lenë për të dëshiruar, por me paradoksin se ka gjasa për të qeverisur edhe një mandat. Dhe, Basha. I shpikur nga ana e PD-së. Dy herë. Një herë nga Berisha dhe e dyta nga vetja. Mbetet i mbrojtur dhe i mbështetur nga një pjesë e partisë, që i la në momentin e vështirë, për t’ua lënë paradoksalisht një pjesë të baltës që i hodhi Berisha dhe për të lehtësuar peshën e gabimeve dhe humbjeve të njëpasnjëshme personale. Për këto s’ka përgjigje nga ai…
Për të ardhur keq është se apogjetët jo të paktë të Bashës sot gjejnë lloj-lloj justifikimesh, shtuar me shumë krahasime politologjie për ardhjen e tij. Shqipëria jonë është një vend paradoksal dhe, Basha vërtetë mund të vijë në fuqi si kryeministër. Vetëm se ai nuk mund ta bëj dot ndryshimin, sepse edhe vetë ai është mbrujtur në shkollën e të ashtuquajturit “trekëndësh i Bermudës”, ku ai vendos Ramën, Berishën, Metën, të tre kundërshtarët dikur mbështetës të tij, që e kanë ndihur jo pak në rrugëtimin e vet. Ky është i vetmi koncept interesant i Bashës, me përjashtimin, që nuk gjen dot vend për veten…
Shpikja e Bashës së ri është një koncept, që ne po ia dhurojmë filozofisë tonë politike, që me këtë politikë që bëhet në Shqipëri mund të konsiderohet si utopi. Pasi Basha, ashtu si të tre këndet e “Bermudës” jo vetëm nuk kanë prodhuar ndonjë vizion, apo të kenë lenë ndonjë traktat, por më shumë se kaq, ai vetë, ka shfrytëzuar në formën më paradoksale idenë e Republikës së Re, për të marrë pak oksigjen në një politikë pa principe. Mënyra e largimit të pjesshëm dhe riardhja pothuaj e ka treguar atë që përfaqëson Basha, qoftë nga krahu i tij por edhe nga ana e Berishës, që e ka mbyllur misionin e vet. I vetmi që është i interesuar në këtë zhvillim është Rama dhe shpura e tij socialiste, që në fund do t’i lenë sërish demokratët e thjeshtë me gisht në gojë
Me pak fjalë, do duhet një PD e re por aspak një Bashë, që nuk mund të thotë asgjë, përveçse të paketojë ndryshe krizën politike shqiptare, ku ai është protagonist i krizave së dorës së parë. Në fakt, Russell e tha pak më banalisht: “Demokracitë tona të mëdha ende priren të mendojnë se një budalla ka më shumë gjasa të jetë i ndershëm sesa një njeri i zgjuar dhe se politikanët tanë përfitojnë nga ky paragjykim duke u shtirur se janë edhe më budallenj se sa i ka bërë natyra”. E marrë nga “New Hopes for a Changing World” (Shpresa të reja për një botë në ndryshim) duket se na thotë shumë dhe ne. Të paktën, në rastin e Bashës