Connect with us

Kosova

Nuk ndalet shahisti Vuçiç/ Stradner tregon planet e presidentit serb

Bashkëpunëtorja kërkimore në Fondacionin për Mbrojtjen e Demokracisë në Washington, Ivana Stradner, ka thënë se Vladimir Putin erdhi në pushtet për të lënë një trashëgimi dhe se ai nuk do të ndalet vetëm me luftën në Ukrainë.

Në një intervistë për median serbe ‘Danas’, ajo theksoi se në listën e ambicieve imperialiste të presidentit rus, janë Moldavia, vendet baltike dhe Polonia, si dhe instalimi i regjimeve kukull pro-ruse në rrethinën e tij.

Kurse për presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiç, ajo tha se është një kukull e dobishme për Putinin duke i mundësuar bashkëpunim në fushën e sigurisë.

“Ndikimi rus në fushën e energjisë nuk duhet të nënvlerësohet. Vuçiç nuk dëshiron të vendosë sanksione ndaj Rusisë sepse Moska po përdor Serbinë për të anashkaluar sanksionet”, shpjegoi Stradner dhe paralajmëroi për një konflikt të mundshëm në Ballkan, I cili duhet të merren seriozisht.

“Shumë e imagjinojnë luftën në Ballkan si në vitet ’90 dhe arrijnë në përfundimin se Vuçiç nuk do të përshkallëzojë situatën për shkak të NATO-s, por kjo është një analizë naive. Millosheviçi bëri luftëra përmes strukturave paraushtarake dhe këtë provoi edhe Vuçiç në Banjskë. Njësitë speciale dhe operacionet e informacionit janë çelësi, dhe Putin bashkë me Vuçiç e dinë se zona gri e luftës nuk mund të provokojë nenin 5 të NATO-s, por nga ana tjetër, mund të tregojë se aleanca është një tigër letre” – theksoi Stradner, duke saktesuar se Kosova dhe mbi të gjitha Bosnja dhe Hercegovina janë pjesë e kësaj strategjie.

“Qëllimi në Kosovë është të tregohet se NATO është e dobët. Mjafton të shikohet fakti se vitin e kaluar mbi 90 pjesëtarë të KFOR-it u plagosën në përleshje në veri të Kosovës kur serbët u përleshën me policinë dhe pjesëtarët e KFOR-it. Së shpejti mund të presim struktura pro-ruse në Maqedoninë e Veriut, gjë që do t’i ndërlikojë më tej gjërat” – shtoi Strander.

Sipas saj, “Nëse shikojmë në mënyrë retroaktive raportet e shërbimeve të inteligjencës në fund të viteve ’80 dhe mediat perëndimore që paralajmëronin atë kohë për kaos para luftës në Jugosllavi, mediat dhe liderët e huaj po paralajmërojnë sot për mundësinë e konfliktit në Ballkan, dhe kjo duhet marrë seriozisht”.

“Aleksandër Vuçiçit i pëlqen të thotë se ai është një shahist i mirë dhe se po udhëheq një politikë balancuese pragmatike dhe racionale. Një politikë e tillë mund të funksiononte para vitit 2022 teksa ai kishte mbështetjen e Angela Merkel, politika e së cilës bazohej në bashkëpunimin ekonomik dhe jo në promovimin e demokracisë. Bota ndryshoi në vitin 2022 dhe Perëndimi ia hapi sytë Vuçiçit. Ky është fillimi i fundit të tij i cili ndoshta do të zgjasë shumë por maskat ia kanë hequr” – potencoi Ivana Stradner.

Advertisement