Politike
Nesho: Ramës i bëri presion George Soros
Diplomati Agim Nesho deklaroi se Kryeministri Edi Rama po përjeton një kthesë të fortë politike, të diktuar jo nga interesat e Shqipërisë, por nga nevoja personale për mbijetesë politike.
Sipas Neshos, Rama ka qenë historikisht një kritik i ashpër i Donald Trump dhe një ndjekës i rregullt i forumit të Davosit, i lidhur ideologjikisht me rrjetin e George Soros. Ai theksoi se ky orientim u kthye në projekt politik që nga viti 2013, duke e shndërruar Ramën jo vetëm në ndjekës, por edhe zbatues të agjendës së Davosit.
Nesho u shpreh se sot po shohim një Ramë që “kërcen” nga pozicioni anti-Trump në përpjekje për t’u paraqitur si pjesë e iniciativave të reja amerikane për paqen, vetëm sepse ndodhet përballë një krize të thellë politike në vend. Ai e cilësoi këtë sjellje si tipike për një politikan “pa bosht”, që ndryshon qëndrime sipas interesit personal.
Diplomati kritikoi gjithashtu mënyrën se si u trajtua në Kuvend iniciativa për ‘Bordin e Paqes’, duke e quajtur procesin të papërgatitur dhe qesharak për shtetin shqiptar. Sipas tij, vendime të tilla po përdoren nga Rama për të krijuar idenë e një mbështetjeje amerikane, në funksion të shpëtimit të tij politik.
Nesho theksoi se vizioni i Presidentit Trump për sigurinë dhe paqen është një projekt vertikal force dhe jo një organizatë klasike ndërkombëtare, ndërsa paralajmëroi se Rama po e përdor këtë iniciativë për qëllime personale dhe jo kombëtare.
Nesho: Tani, pozicioni i opozitës është shumë i qartë dhe themi që ka një lartpamësi, po ka edhe një qëndrim parimor sidomos për çështjet e sigurisë dhe këtu biem dakord. Domethënë, është pranuar edhe votimi unanim në Kuvendin e Shqipërisë për iniciativën e paqes, për arsye sepse Shqipëria e ka të nevojshme edhe në këtë ndryshim gjeopolitik që të rreshtohet pranë Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Aq më tepër kur Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë evidentuar në rastin e Kosovës, si pjesën e rëndësishme të kombit shqiptar, si një element të rëndësishëm të këtyre interesave dhe të kësaj zone influence.
Tani, Rama do kishte dashur me vrap të ikte, edhe unë jam dakord që Rama nuk i lejonte që t’i shpëtojnë këto. Ka qenë një ndjekës i rregullt i Davos-it, bile dhe një inspirues, se dihet që një nga njerëzit që ka promovuar Davosin është familja e tij e Sorosit. Kur në 2013-ën, po të mbani mend, ka qenë fjalimi i Sorosit që tha ‘nuk është ndonjë problem kanabisi, ju takon edhe njerëzve dhe qeveritë t’i kultivojnë’.
Ky e ktheu në projekt politik. Domethënë ky është jo vetëm ndjekës i Davosit, por dhe zbatues i atyre porosive. Por, nuk mendoj që Rama do të vinte në Davos se do takonte vëllain e tij jo biologjik Alex Sorosin. Është i shantazhuar nga ata, sepse ata e kanë rritur, i kanë dhënë pushtet. E kanë detyruar Blinken-in të vijë në Shqipëri të bëjë të pajustifikueshmen, për në një rast kur ky është kapur me letra në dorë si njeri që ka manipuluar dhe ka dashur të korruptojë zyrtarë të lartë të qeverisë amerikane siç ka qenë McGonigal, shefi i kundërzbulimit të FBI-së. Të gjitha këto e kanë mbrojtur deri në pakuptim.
Ky sfidoi Shtetet e Bashkuara të Amerikës, sfidoi Presidentin amerikan Trump edhe nga këshillëku që i bëri duke vazhduar miqësinë me Sorosin, duke treguar që në thonjëza është njeri me karakter, duke dhënë intervista në ‘Vogue’, intervistë e kështu me radhë. Pra, ne këtu shikojmë në radhë të parë në këtë lëvizje të Ramës, një njeri pa bosht, një kameleon që ndryshon pozicionet e tij. Domethënë, po të shikosh të gjithë kontekstin e deritanishëm, Rama ju ka shërbyer evropianëve si elementi anti-Trump për ato gjëra që evropianët nuk kanë guxuar t’i thonin. Dhe ku ka qenë kjo? Ka qenë në konferencën e Romës me Melonin, ku u vajti tha ç’duan të tjerët jashtë Evropës të vendosin se cilat janë kushtet për Ukrainën. Ky ishte sfida kryesore.
U tall në Bruksel me Presidentin Trump dhe tha që ky po t’merr meritat’ Emanuel, tha. Ti ke bërë punën për të zgjidhur konfliktin Armenia-Azerbajxhan, ky tjetri erdhi dhe e quan veten sikur është lideri i madh. Tani, në një moment kërcen dhe bëhet promotor që ky është i pazëvendësueshëm në bordin e paqes. Ideja ime për të mos e zgjatur është që Presidenti Trump e tha shumë qartë.
Kjo është një iniciativë, në esencë nuk është një organizatë ndërkombëtare, për arsye sepse ka një element jo të barazisë midis kombeve, por ka të një linje vertikale që tregon forcën. Dhe kjo është një vizion i një Presidenti amerikan i cili kërkon të bëjë jo vetëm Amerikën të madhe, por edhe Evropën më të sigurt. Por, gjithmonë nën filozofinë dhe vizionin e tij.
Domethënë, në këtë kuptim, Kryeministri shqiptar që duhet të përfaqësojë interesat e Shqipërisë, kërcen nga një pozicion anti-Trump, mos themi historikisht me ato deklaratat që ‘ky është turpi i civilizimit , na shpëto o Zot se po erdhi ky do shkatërrojë botën’, duke vazhduar deri para një muaji, bëhet sikur është njeriu i përzgjedhur i Trump-it. Dhe pse e bën këtë? Këtë e bën sepse në Shqipëri ai po përjeton fundin e tij. Ai është përpara një krize politike, ishte çështja e Balluku, dhe e gjithë kjo gjë u sinkronizua për të patur një të ashtuquajtur përkrahje nga Ivanka Trump-i në Shqipëri. Çfarë është gjëja që duhet të dallojmë këtu.
E para, unë jam plotësisht dakord me zotin Peka që Ivanka Trump në qoftë se do ishte politike, të paktën për këto qëndrime ndaj një kundërshtari politik i përdorur kundër babait të saj, do mbante një qëndrim po të ishte element politik. Por ata kanë ardhur këtu privatisht për të përfituar dhe unë jam plotësisht për ta mbyllur atë, mirë bën që e kanë bërë atë investimin në Sazan.
Kanë marrë shumë më tepër. Rama për ta ditur, ka premtuar dhe shumë gjëra, deri për t’ju dhënë grupit që menaxhon Kushner-i edhe aeroportin e Vlorës, edhe trenin elektrik, investime pafund vetëm për këtë gjë që ndodhi në Shqipëri. Pra, ky njeri luan për pozicionet e tij. Ky nuk ka asnjë lidhje as me mbrojtjen e interesave të Shqipërisë, as me prezantimin e Shqipërisë në rangun më të madh, duke detyruar shtetin shqiptar siç e tha miku im, të bëhet qesharak. Sot del një vendim, diskutohet në parlament, e para pa patur një material të firmosur, është turpi i dynjasë. Për çfarë kanë vajtur dhe të negociojnë, për ta ratifikuar pa ditur se si do negociohet ose do aprovohet karta e të ashtuquajtur organizatë të paqes. Vën emrin e tij nominal për të shpëtuar veten e tij dhe për të patur një garanci se ky njeri domethënë është i pëlqyer dhe ka marrëdhënie të rregullta me amerikanët.
Dhe së fundi për t’ju thënë shqiptarëve, dihet që vendet që kanë ardhur në iniciativën e Presidentit Trump, nuk janë zgjedhur nga Presidenti Trump, po nga ata që bëjnë politikën dhe që është ekipet e tij të Shtëpisë së Bardhë dhe Departamentit të Shtetit. Kompozicioni është i tillë për të treguar forcën e Presidentit dhe forcën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, sepse është shumë e vështirë për të gjithë botën perëndimore të kesh një kriminel si Putini, gjë që u duk edhe në ato sugjerimet që i dha Kryeministri britanik, ashtu si i tha Presidenti i Ukrainës, ashtu si po rezistojnë vendet e Bashkimit Evropian.
Por u morën edhe njerëz si Lukashenko që kanë bashkëpunuar shumë mirë me fondet arabe. Dihet që Lukashenko ka qenë i pari që është zbuluar për të bërë ato ‘Waterfront-in’, pas Waterfront-it në Beograd, bëri Lukashenko investimet arabe dhe erdhi te Rama. Domethënë, këta janë njerëz që bëjnë atë kontornin dhe të cilët në njëfarë mënyre do përdoren për të realizuar ato fonde, se Amerika nuk është budallaqe që të harxhojë fondet e saj, por me këtë psikologji dhe me këtë pragmatizëm të këtij Presidenti, do marri dhe këta elementë të tjerë. Presidenti amerikan e tha copë, midis këtij grupi që janë këtu unë i pëlqej të gjithë, por ka dhe disa tha që nuk dua t’i shoh me sy.