Kosova
Nuk u pajtuam për asgjë…, Vuçiç sulmon Gjermaninë
Presidenti serb, Aleksandër Vuçiç, ka njoftuar rreth takimit që ai ka patur me emisarin e Gjermanisë për Ballkanin Perëndimor, Manuel Sarrazin.
Ai tha se me të s’është pajtuar për asgjë dhe se i ka thënë që Serbia është vërtetë vend i vogël, por me “njerëz krenarë” që do t’i kundërvihen “përçmimeve” në Këshillin e Europës për Kosovën dhe në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së për Srebrenicën.
Sidoqoftë, Vuçiç pretendoi se i intereson paqja në rajon dhe se për këtë gjeti pajtim me të dërguarin gjerman.
“Një takim i sinqertë dhe jashtëzakonisht i vështirë me Manuel Sarrazin. Ne nuk pajtohemi pothuajse për asgjë, përveç pikëpamjes se është e nevojshme të ruhet paqja në Ballkanin Perëndimor. I thashë Sarrazinit se Serbia është një vend i vogël territorialisht dhe numerikisht, por një vend i njerëzve krenarë, që do të kundërshtojë poshtërimet e përgatitura për të në Këshillin e Evropës dhe OKB” – ka shkruar Vuçiç në Instagram
Presidenti serb po planifikon të pengojë anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Europës përmes themelimit të një ekipi special, të cilit i prijnë ministri i Jashtëm, Ivica Daçic dhe drejtori i të ashtuquajturës Zyre për Kosovën në qeverinë serbe, Petar Petkovic.
Ndërkaq, përsa i përket Srebrenicës, Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara, siç është paralajmëruar, pritet të vendosë në rend dite Projekt-Rezolutën për Srebrenicën, ku ndër të tjera do të përfshihet shpallja e 11 korrikut si “Dita Ndërkombëtare e Përkujtimit të Gjenocidit në Srebrenicë”, gjë të cilën po e kundërshton Vuçiçi.
Në një intervistë për Radio Televizionin e Serbisë, Daçiç ka pretenduar se anëtarësimi i Kosovës në KiE nuk do të bëhet sipas “ligjit”, por në “bazë të forcës”.
I indinjuar me mundësitë reale që Kosova të anëtarësohet , Daçiç ka pretenduar se KiE është e vetmja organizatë ku Kosova ka mundësi të hyjë, ndryshe nga Organizata e Kombeve të Bashkuara, për të cilën, sipas tij, Kosova “vetëm mund të ëndërrojë”.
Vuçiç para disa jave paralajmëroi largimin e Serbisë nga Këshilli i Evropës në rast se Kosova anëtarësohet në këtë organizatë ndërkombëtare, teksa idenë e tij e mbështeti edhe ish-kryeministrja e Serbisë, Ana Bërnabiç.
Kosova, më 27 mars, kaloi edhe një pengesë drejt rrugës së saj për anëtarësim në Këshillin e Evropës, ku aplikoi në maj të vitit 2022.
Të mërkurën Komiteti për Çështje Politike dhe Demokraci në Asamblenë Parlamentare të KiE-së miratoi opinionin e raportueses për Kosovën, Dora Bakoyannis, ku thuhej që Kosova ka përmbushur kushtet për t’u bërë anëtare e plotë e Këshillit të Evropës.