Connect with us

Kosova

Octopus për fushatën zgjedhore në Serbi: Shqetësuese…

“Gjendja aktuale në Serbi është shumë shqetësuese dhe nuk i shërben aspak paqes dhe stabilitetit rajonal, pasi fushata për zgjedhjet e përgjithshme parlamentare të 17 dhjetorit në Serbi po zhvillohet në një atmosferë të rënduar nga qasja intimiduese e presidentit të Serbisë Aleksandër Vuçiç dhe eksponentëve të tjerë të partisë në pushtet, Partisë Progresive Serbe” – Kështu shkruan në një analizë Instituti ‘Octopus’.

Sipas Institutit, është evidente se Serbia po përballet me një situatë aspak normale dhe thellësisht jodemokratike ku strukturat e aparatit shtetëror dhe grupet kriminale janë angazhuar t’ia ngushtojnë veprimtarinë politike rivalëve për t’i dëmtuar sa më shumë politikisht.

“Ka raportime të vazhdueshme edhe për blerje të votave; kjo u konfirmua edhe nga disa videomateriale të publikuara në rrjete sociale. Retorika zgjedhore në Serbi po shënohet edhe nga një diskurs me gjuhë të ashpër nacionaliste, ku veçohen thirrjet publike kundër sovranitetit të Republikës së Kosovës.” – thuhet në reagimin e “Octopus”

E ndër bartësit kryesorë të diskursit primitiv, Instituti veçon presidentin e Serbisë Aleksandër Vuçiç, kryeministren Ana Brnabiç, ministrin e punëve të jashtme Ivica Daçiç, si dhe një sërë zyrtarësh të tjerë me pozita të larta politike.

Ndër temat më të shpeshta me karakter nacionalist primitiv, sipas Institutit, janë mohimi i pavarësisë së Kosovës, pretendimet e pabazuara historike, narrativa viktimizuese serbe, si dhe gjuha dehumanizuese dhe fyese kundër shqiptarëve.

Advertisement