Aktualitet
Oerdi ndryshon mënyrën e mosbindjes civile, premton për një model ‘alla shqiptar…’
Nënkryetari i PD-së Oerd Bylykbashi deklaron se mosbindja civile do të vijojë. Ai tha në emisionin “Kjo Javë” në News24 se ka qenë “vendimi politik i grupit për të reaguar fort dhe në kuadër të asaj që themi mosbindje civile, por mosbindja civile në vetvete nuk do të thotë që ikim nga parlamenti, por që seancat nuk mund të kenë normalitet me diskutime sterile, por duke thënë hallet fort”. Bylykbashi foli dhe për qëndrimin e tij, disi jo në front të parë në përplasjen me maxhorancën.
“Shtyrja që i bën Edi Rama situatës është një mekanizëm që e ka bërë shumë herë. Vendimi ynë ka qenë për të reaguar fort për këtë. Sigurisht dhe grupi parlamentar është i madh dhe secili prej nesh bën dhe zgjedhjet. Ajo që pres unë, jam gati ta them fort sepse për këtë jemi në parlament.
Unë besoj që në qoftë se ne si grup parlamentar bëjmë një veprim që tërheq fort vëmendjen te problematika, te mosfunksionaliteti i parlamentit e ka arritur qëllimin. Por brenda kësaj ka hapësirën e vet për të bërë gjithë atë që është e nevojshme, që në fund të kemi raportin me parlamentin, me publikun, me faktorin ndërkombëtar. Të gjitha në funksion të një gjëje, që çështja jonë të jetë e qartë për të gjithë dhe më pas të prodhojë një efekt në raport me zgjedhjet”, tha ai.
Sipas Bylykbashit, në qoftë se dikush ecën me idenë që Edi Rama kërkon zgjedhje normale është thjesht në pistën e gabuar.
“Arsyeja pse ka nisur mosbindja civile, e cila do të vazhdojë. Do të ketë një kombinim të aksionit parlamentar dhe aksionit politik edhe në rrugë.
Në këtë trajektore që kemi përpara na duhet të kombinojmë të gjitha spektrin e veprimeve që ka opozita. Aksioni opozitar do të vazhdojë me mosbindjen civile dhe nga ana tjetër përplasja jonë në parlament me argumente. Njerëzit duan të dëgjojnë në parlament për hallet e tyre. Janë pare që u merren nga xhepat shqiptarëve”, tha deputeti i PD.