Connect with us

Bota

OKB: Do të duhen vite për rimëkëmbjen globale nga Covid-19

Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së tha të enjten se dëmi që COVID-19 ka bërë globalisht nuk do të zhbëhet vetëm nga një vaksinë dhe se një rimëkëmbje e plotë nga pandemia do të marrë vite, ndoshta dekada.

“Ndikimi social dhe ekonomik i pandemisë është jashtëzakonisht i madh dhe në rritje”, tha Antonio Guterres në një seancë të posaçme të nivelit të lartë të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së për vlerësimin e masave aktuale globale ndaj pandemisë së koronavirusit.

Një raport i OKB-së i lëshuar të enjten tha se rreth 32 milionë njerëz mund të shtyhen në varfëri ekstreme këtë vit nga pandemia. OKB-ja është përpjekur të trajtojë pasojat, duke u dhënë ndihmë humanitare miliona njerëzve. Shefi i OKB-së gjithashtu ka bërë presion për miratimin e një pakete stimuluese me vlerë të paktën sa 10 përqindshi i PBB-së globale dhe për lehtësimin e borxhit për të gjitha vendet në nevojë.

Gati 80 krerë shtetesh po mbajnë fjalime në takimin dy ditor që po mbahet në internet, i cili do të përfshijë gjithashtu prezantime nga shkencëtarë, ekspertë dhe krerë të disa agjencive të OKB-së, përfshirë drejtorin e përgjithshëm të Organizatës Botërore të Shëndetësisë.

Numri global i vdekjeve nga koronavirusi ka arritur në mbi 1.5 milionë, ndërsa numri i rasteve ka arritur në mbi 65 milionë, sipas të dhënave të Universitetit Johns Hopkins.

Shpërndarja e vaksinave të para të aprovuara kundër COVID-19 pritet të fillojë këtë muaj. Guterres ka bërë thirrje vazhdimisht për një qasje të barabartë tek vaksinat e kornoavirusit për të gjitha vendet.

Në fund të prillit, OBSH-ja, së bashku me partnerët publikë dhe privatë, filluan nismën ACT-Accelerator dhe COVAX për vaksinat. Nisma është e përqendruar në krijimin e kushteve për qasje të barabartë tek testet, trajtimet dhe vaksinat për të gjitha vendet e botës. Shefi i OKB-së, megjithatë, tha se kishte një mungesë financimi prej 28 miliardë dollarësh, përfshirë 4.3 miliardë dollarë që duheshin urgjentisht për dy muajt e ardhshëm.

Midis udhëheqësve që folën në samit ishte edhe Presidenti i Bashkimit Evropian, Charles Michel, i cili sugjeroi që vendet të nënshkruanin një traktat pandemie për të përmirësuar përgjigjen ndaj pandemive globale në të ardhmen.

“Cili duhet të jetë objektivi i këtij traktati? Objektivi duhet të jetë një përgjigje më e mirë”, tha ai. “Të bëjmë një punë më të mirë në të gjitha fushat në të cilat kemi vërejtur se duhet të forcojmë bashkëpunimin tonë.”

Presidenti francez Emmanuel Macron propozoi që OBSH-ja të krijonte një sistem alarmi për të paralajmëruar vendet më herët, si dhe zgjerimin e qasjes tek vaksinat për vendet e varfra.

“Franca propozon një mekanizëm donacionesh në mënyrë që një pjesë e dozave të para të vaksinës që vihen në dispozicion të përdoren për të vaksinuar grupet me përparësi të lartë në vendet në zhvillim”, tha ai.

 

Vazhdon rritja e rasteve në SHBA

Sekretari amerikan i Departamentit të Shëndetësisë, Alex Azar pritet të përfaqësojë administratën e Presidentit Trump në samitin e OKB-së. Presidenti i Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së do të takohet personalisht të enjten pasdite me Ambasadoren e Shteteve të Bashkuara në OKB, Kelly Craft dhe koordinatoren e përgjigjes ndaj koronavirusit në Shtëpinë e Bardhë, Dr. Deborah Birx dhe ndihmësin e saj, Irum Zaidi. Shtetet e Bashkuara udhëheqin botën me gjithsej më shumë se 14 milionë raste me COVID-19 dhe më shumë se 275,700 vdekje. Shtrimet në spital për shkak të pandemisë së koronavirusit arritën në 100,000 të mërkurën për herë të parë që nga fillimi i pandemisë, sipas Projektit të Monitorimit të Pandemisë COVID-19. Projekti njoftoi gjithashtu për gati 200,000 raste të reja të konfirmuara.

Dr. Robert Redfield, drejtor i Qendrës Amerikane për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve, paralajmëroi të mërkurën se periudha dhjetor-shkurt do të shoqërohet me një rritje të infeksioneve në të gjithë vendin.

“Në fakt, unë besoj se kjo do të jetë koha më e vështirë në historinë e shëndetit publik të këtij vendi”, tha Redfield në një prezantim të drejtpërdrejtë të organizuar nga Fondacioni i Dhomës Amerikane të Tregtisë.

Ai tha se rritja aktuale e rasteve ishte më e madhe se ato të mëparshmet, duke vënë në dukje shtrirjen gjeografike dhe trajektoren më të pjerrët të ritmeve të infeksionit dhe vdekjeve, pasi Shtetet e Bashkuara tani po regjistrojnë afërsisht 2,000 vdekje në ditë.

Redfield paralajmëroi gjithashtu për mbingarkimin e spitaleve në të gjithë vendin, që po përballen me mungesa të shtretërve dhe staf të mbingarkuar.

Ish-presidenti amerikan Barack Obama tha se do të vaksinohej kur vaksina kundër COVID-19 të konsiderohej e sigurt dhe efektive. Në një intervistë transmetuar të enjten në radion satelitore SiriusXM, Obama tha se ai madje po mendonte ta bënte vaksinën në televizion si pjesë e një fushate publike për të bindur amerikanët që janë skeptikë ndaj vaksinës, veçanërisht atyre në mesin e afrikano-amerikanëve.

CNN njoftoi se edhe pararendësit e Barack Obamës, ish-presidentët Bill Clinton dhe George W. Bush po peshonin mundësinë e vaksinimit para kamerave televizive.

Bota

Kryeministri i ardhshëm maqedonas sfidon Greqinë: Vendin tim e quaj si të dua, Maqedoni

Pas deklaratave të presidentes së re maqedonase e cila gjatë betimit vendit iu referua vetëm si Maqedoni, kryeministri i ardhshëm Hristian Mickoski sfidon Greqinë, duke thënë se është e drejta kushtetuese e vendit të quhet si të dojë.

“Prisja që fqinji ynë jugor të na uronte. Përkundrazi, për fat të keq, na treguan krahët e tyre politikë. E drejta ime personale kushtetuese është të zgjedh si ta quaj vendin tim dhe kur të bëj deklarata dhe kur të flas me ju, gazetarët, si unë ashtu edhe unë presim që presidentja Silianovska të përdorë termat Maqedoni dhe maqedonas, si në këtë mënyrë, bazuar në interpretimin tonë të Marrëveshjes së Prespës, nuk ka shkelje të marrëveshjes dhe me këtë rast u bëj thirrje miqve tanë në Greqi të ndalojnë kërcënimet, pengesat, të mos kthehen më në të kaluarën, të shikojnë nga e ardhmja”, tha lideri i VMRO, partia e të cilit fitoi zgjedhjet pak ditë më parë.

Ndër të tjera Mickoski i bën thirrje Greqisë që të ndalojë sulmet ndaj vendit të tij dhe nëse ka ndonjë problem të shkojë në gjykatën e Hagës:

“Nëse ata mendojnë se ne e kemi shkelur Marrëveshjen e Prespës, le të shkojnë në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë në Hagë. Ata mund të fillojnë një proces dhe aty do të shohim argumentet e njërës palë dhe tjetrës. Do të doja të shkoja atje”.

Çështja e emërtimit të Maqedonisë së veriut ka rikthyer krizën mes dy vendeve, që prej disa kohësh ishte tejkaluar. Ministri grek i punëve të jashtme ka thënë se një nga parakushtet për promovimin e procesit evropian është respektimi i Marrëveshjes së Prespës nga Maqedonia e Veriut.
Continue Reading

Bota

Shtëpia e Bardhë bllokon publikimin e audio-regjistrimit nga intervista e Presidentit Biden me prokurorin e posaçëm

Presidenti Joe Biden përdori fuqitë e tij ekzekutive për të bllokuar publikimin e audio-regjistrimit të intervistës së tij me Prokurorin e posaçëm Robert Hur, e cila është në qendër të përpjekjeve të ligjvënësve republikanë për të mbajtur përgjegjës Prokurorin e Përgjithshëm Merrick Garland për moszbatim të një kërkese të Dhomës së Përfaqësuesve ndaj tij.

Departamenti amerikan i Drejtësisë i njoftoi të enjten ligjvënësit për këtë hap të Presidentit Biden.

Veprimi i Presidentit Biden vjen ndërkohë që Komisioni për Mbikëqyrjen dhe Përgjegjësinë dhe Komisioni për Çështjet Ligjore në Dhomën e Përfaqësuesve pritet të mbajnë seanca dëgjimore. Ata pritet të rekomandojnë që ligjvënësit ta referojnë zotin Garland tek Departamenti i Drejtësisë për moszbatim të kërkesave të Kongresit, për shkak të refuzimit të departamentit që t’ua dorëzojë ligjvënësve audio-regjistrimin.

Përmes një letre të enjten, Prokurori Garland e këshilloi Presidentin Biden se çështja e audio-regjistrimit bie brenda fuqive të tij ekzekutive. Zoti Garland i tha Presidentit Biden se “nevojat e komisioneve të Kongresit janë thjesht të pamjaftueshme për të justifikuar pasojat e dëmshme që publikimi i regjistrimeve do t’i ketë mbi integritetin dhe efektshmërinë e hetimeve të ngjashme në të ardhmen.”

 

 

Ndihmës Prokurori i Përgjithshëm Carlos Felipe Uriarte u bëri thirrje ligjvënësve të mos vazhdojnë më tej me akuzat ndaj zotit Garland, në mënyrë që të shmangin “një konflikt të panevojshëm dhe të pajustifikueshëm”.

“Është një qëndrim i hershëm i pushtetit ekzekutiv, që e kanë respektuar si administratat demokrate edhe ato republikane, që nëse një zyrtar zbaton kërkesën e presidentit për të ushtruar kompetencat ekzekutive, ai nuk mund të akuzohet për moszbatim të kërkesave të Kongresit,” shkroi zoti Uriarte.

Këshilltari i Shtëpisë së Bardhë Ed Siskel i drejtoi një letër të ashpër Kongresit të enjten duke vënë në dukje se përpjekjet e ligjvënësve për ta marrë audio-regjistrimin nuk kanë asnjë qëllim legjitim dhe se qëllimi i tyre është më se i qartë – “ta redaktojnë, shtrembërojnë dhe ta përdorin (audio-regjistrimin) për qëllime partiake.”

Kjo letër e Shtëpisë së Bardhë është një konfirmim i tërthortë i njoftimeve që intervista e zotit Biden me prokurorin Hur përmban momente për të cilat ka shqetësime që mund ta portretizojnë negativisht presidentin amerikan gjatë një viti zgjedhor – situatë që mund të përkeqësohet nga publikimi, apo publikimi i pjesshëm, i audio-regjistrimit.

Teksti i zbardhur i intervistës me Prokurorin e Posaçëm Hur tregon se Presidenti Biden kishte vështirësi të kujtonte disa data dhe se nganjëherë ngatërronte disa detaje – një gjë që, sipas këshilltarëve të tij, ai e ka bërë me vite publikisht dhe privatisht – por që për shumë çështje të tjera ai ka një kujtesë të thellë. Zoti Biden dhe këshilltarët e tij janë veçanërisht të ndjeshëm ndaj çështjeve që kanë të bëjnë me moshën e presidentit. Si 81 vjeçar, Presidenti Biden është presidenti më i moshuar në historinë e Shteteve të Bashkuara dhe tani po kandidon edhe për një mandat katër vjeçar.

Prokurori i Posaçëm Hur gjeti prova se Presidenti Biden me qëllim kishte vazhduar të mbante dosje të klasifikuara dhe se këto dosje ai ia tregoi një bashkëpunëtori me synimin për të shkruar një libër. Por, zoti Hur arrin në përfundim se gjetjet e tij janë të pamjaftueshme për të ngritur aktpadi penale ndaj zotit Biden./ VOA

Continue Reading

Bota

E rëndë në itali, polici qëllon për vdekje ish-kolegen

Një ish-police 33-vjeçe ka mbetur e vrarë mbasditen e sotme në Anzola dell’Emilia, Bologna të Italisë. Bëhet me dije se policja është qëlluar me armë zjarri nga një koleg në komisariatin e policisë. Siç raportohet 60-vjeçari ka deklaruar se ka qëlluar aksidentalisht ndaj ish-polices.

Ndërsa autoritetet thonë nuk përjashtojnë edhe mundësinë e një krimi pasionant. Megjithatë ngjarja është duke u hetuar.

Continue Reading

Bota

Atentati ndaj kryeministrit sllovak nga një “ujk i vetmuar”/ Ministri i Brendshëm akuzon mediat për…

Autoritetet sllovake akuzuan një person të enjten për tentativën për të vrarë kryeministrin Robert Fico, duke thënë se ai veproi i vetëm në një sulm të motivuar politikisht. Pikëpamjet pro-ruse të Ficos kanë kontribuar në ndarje të thella në vendin e vogël evropian që kufizohet me Ukrainën. Fico, 59 vjeç, ishte në gjendje të rëndë, por të qëndrueshme një ditë pasi u qëllua disa herë, tha një zyrtar i spitalit. Presidenti i sapozgjedhur Peter Pellegrini tha se ai foli me Fico në spital dhe konfirmoi se gjendja e tij “mbetet shumë e rëndë”.

Tentativa për vrasjen e Ficos ka tronditur kombin dhe ka bërë jehonë në të gjithë kontinentin javë përpara zgjedhjeve evropiane. Ndërsa Pelligrini dhe presidentja Zuzana Caputova u kërkuan njerëzve të heqin dorë nga retorika e mprehtë që ka karakterizuar debatin politik, disa aleatë të Fico-s sulmuan mediat e Sllovakisë për kontributin në polarizimin e vendit.

Ministri i Brendshëm Matus Sutaj Estok u kërkoi gazetarëve të “reflektonin” se si i kishin mbuluar politikat e Ficos. Ai iu referua të dyshuarit – i cili u akuzua për vrasje me paramendim – si një “ujk i vetmuar” që nuk i përkiste asnjë grupi politik, megjithëse ai tha se vetë sulmi ishte i motivuar politikisht. “Unë mund të konfirmoj se ky person nuk është anëtar i ndonjë partie të radikalizuar të krahut të djathtë apo të majtë,” tha Estok.

Fico ka qenë prej kohësh një figurë përçarëse në Sllovaki dhe më gjerë, dhe kthimi i tij në pushtet vitin e kaluar me një mesazh pro-rus, anti-amerikan çoi në shqetësime edhe më të mëdha midis anëtarëve të Bashkimit Evropian dhe NATO-s se ai do të braktiste linjën perëndimore të vendit të tij.

 

 

Në fillim të pushtimit të Rusisë, Sllovakia ishte një nga mbështetësit më të vendosur të Ukrainës. Fico ndaloi dërgesat e armëve në Ukrainë kur u kthye në pushtet, herën e katërt që shërben si kryeministër.

Qeveria e Fico-s ka bërë gjithashtu përpjekje për të riformatuar transmetimin publik – një veprim që kritikët thanë se do të rezultonte në kontrollin e plotë të qeverisë mbi televizionin dhe radion publike. Kjo, së bashku me planet e tij për të amenduar kodin penal për të eliminuar një prokuror të posaçëm kundër ryshfetit, kanë bërë që kundërshtarët të shqetësohen se Fico do ta çojë Sllovakinë në një rrugë më autokratike.

Mijëra demonstrues janë mbledhur vazhdimisht në kryeqytet dhe në mbarë vendin me 5.4 milionë banorë për të protestuar ndaj politikave të tij. Policia sllovake ka dhënë pak informacion mbi identitetin e të dyshuarit. Por raportet e pakonfirmuara të medias sugjeruan se ai ishte një pensionist 71-vjeçar, i cili njihej si poet amator dhe mund të ketë punuar më parë si roje sigurie në një qendër tregtare në jugperëndim të vendit.

Në një konferencë shtypi të enjten pas një takimi të Këshillit të Sigurimit të Sllovakisë, ministrat e qeverisë dhanë më shumë detaje rreth këtij njeriu, duke mos e përmendur ende emrin e tij. Estok tha se i dyshuari përmendi pakënaqësinë e tij me disa nga politikat e Ficos si motivim për sulmin. Ministri tha se zgjedhjet presidenciale në pranverë nxitën sulmin dhe se i dyshuari kishte marrë pjesë në një protestë të fundit antiqeveritare. “Mund t’ju konfirmoj se arsyeja pse ishte një vrasje me paramendim me motive politike, në tentativë është siç tha vetë i dyshuari: informacionet mediatike që ai kishte në dispozicion”, tha ai. “Unë mendoj se secili prej jush mund të reflektojë në mënyrën se si e prezantoi atë”, shtoi.

Continue Reading

Bota

Magjistari David Copperfield akuzohet për sjellje të pahijshme seksuale nga shumë gra

Magjistari i famshëm amerikan, David Copperfield, është akuzuar nga 16 gra për përfshirje në sjellje të pahijshme seksuale dhe sjellje të papërshtatshme, sipas një hetimi të Guardian në SHBA.

Më shumë se gjysma e akuzave janë nga gra që thanë se ishin nën 18 vjeç në kohën e incidenteve. Disa thanë se ishin 15 vjeç, megjithëse ai mund të mos i kishte ditur moshat e tyre.

Akuzat kundër tij përfshijnë pretendimet se ai drogoi tre gra përpara se të kishte marrëdhënie seksuale me to, për të cilat ata mendonin se nuk ishin në gjendje të pranonin.

Pretendimet kundër iluzionistit 67-vjeçar – të cilat ai i ka mohuar – shtrihen nga fundi i viteve 1980 deri në vitin 2014.

The Guardian US është duke i shqyrtuar këto akuza si pjesë e një serie historish që janë mbështetur në intervista me më shumë se 100 njerëz dhe në dosjet e gjykatës dhe policisë.

Gratë që kanë ngritur akuza për sjelljen e Copperfield e takuan atë përmes punës së tij si një nga argëtuesit më të suksesshëm në botë.

Disa nga gratë i thanë Guardian se vetëm pas lëvizjes #MeToo ishin ndjerë në gjendje të flisnin për përvojat e tyre të supozuara me Copperfield.

I pyetur për pretendimet, Copperfield mohoi çdo lloj keqbërjeje.

Në përgjigjet me shkrim, avokatët e tij i thanë Guardian se ai “kurrë nuk ka vepruar në mënyrë të papërshtatshme me askënd, e lëre më me askënd të mitur”. Ata thanë se një përshkrim “i vërtetë” i Copperfield do të përshkruante “mirësinë, ndrojtjen dhe trajtimin e tij me respekt ndaj burrave dhe grave”.

Ata thanë se Copperfield është një kampion i lëvizjes #MeToo, e cila ka inkurajuar gratë të dalin përpara dhe të tregojnë historitë e tyre të abuzimeve të supozuara.

Ata gjithashtu thanë se kishte pasur më parë “pretendime të shumta false” kundër tij.

Continue Reading
Advertisement

TRENDING