Shkrime
Tre kabinetet paralelë me Ramën kryeministër
Nga Lorenc Vangjeli
Ka tre kabinete qeveritarë paralelë në Tiranë. Dy të parët me Ramën kryeministër dhe i treti me bashkëqeverisje. Ky nuk është paradoks, por është realiteti që nuk e shohin vetëm ata që zgjedhin verbërinë si shqisë. Anëtarët e kabinetit të parë janë dekretuar nga presidenti dhe janë votuar nga parlamenti. Në kabinetin e dytë, pjesa dërmuese janë anëtarë të parlamentit, kurse kabineti i tretë, përbëhet vetëm nga kryeministri dhe një numër prokurorësh të posaçëm nga SPAK. Të gjithë këta qeveritarë, bashkë dhe veç e veç, edhe pse hanë bukë në tryeza të ndryshme, në fund bëjnë duanë e Ramës. Dhe janë ata që mbajnë në këmbë qeverisjen e tij edhe kur rrethanat, logjika apo dhe pesha e kohës duket se flasin ndryshe.
Në kabinetin e parë Rama kryeministron mbi një zëvendëskryeminstër dhe 16 ministra. Nga këta, vetëm pothuaj gjysma janë individë politikë. Dhe në këtë gjysëm, më pak se gjysma marrin pjesë në betejat politike të ditës. Të tjerët, ose janë pothuaj të panjohur, ose kanë hyrë në ekzekutiv për shkak të rrethanës klasike të të gjendurit në kohën e duhur në vendin e duhur. Ata janë pjesë e atyre 40 e kusur ministrave – siç i numëron vetë Rama – me të cilët ai ka ndarë portofolet qeveritare, por që sot nuk i kujton më askush. Një pjesë e tyre, jetëgjatë në poste, prej kohësh shfaqen në publik vetëm kur ju lëshohet ndonjë gur nga oratorët e opozitës në parlament, ose kur përmendën në histori vartësish që janë nën hetim apo arrestohen. “Maskimi” i tyre është i stilit ushtarak: Nëse do të fshihesh për mos të të gjetur askush, qëndro në vendin më të dukshëm! Shumica dërmuese e tyre janë publikisht dhe politikisht të padukshëm, me plagë të dhembshme penale aty-këtu dhe me një vlerë gjithmonë e më të dyshimtë elektorale. Eshtë e lehtë të parashihet se ata do të jenë të paaftë që të tërheqin nesër karron elektorale të partisë që kërkon një mandat të katërt. Përveç kryetarit të bashkisë së Tiranës, tre – katër kolegëve të tij në disa bashki të tjera dhe po kaq drejtues politikë në qarqe e deputetë që kanë efekt elektoral dhe që janë anëtarë të këtij kabineti, kusuri është vetëm një numër pa portret në listë. Erion Veliaj, rrufepritësja e rradhës e sulmeve të opozitës, qëndron rregullisht mbas Ramës në çdo sondazh publik dhe është i vetëm sa dyfishi i pëlqyeshmërisë së tre liderëve të opozitës. Ndërsa po t’i referohesh rrjeteve sociale dhe Google, rëndësia publike e pesonazheve në qeverisje, dominohet vetëm nga dy-tre emra, me Spiropalin në krye. Socialistët që mund të bëjnë politikë janë tmerrësisht të pakët. Me gjasë jo thjesht se nuk duan, por edhe se nuk dinë. Të hutuar dhe të demoralizuar, të nënvlerësuar dhe nën presionin e zilisë njerëzore, shumica dërmuese e grupit parlamentar të PS-së, që janë vetëm një ordhi zëvendësministrash në këtë kabinet, thjesht nuk ekziston. Mjafton vetëm një seancë në Kuvend për të parë atë shumicë të trishtuar që duket si makinë me orë pune, në padurim për të mbaruar orarin e “punës”.
Emrat në kabinetin e dytë paralel janë padyshim më të bujshëm. Ata nuk marrin pjesë në mbledhjet e qeverisë, por janë gjithmonë të pranishëm aty. Janë identikitet më të papritur dhe më domethënës. Ndër ta shkëlqen padyshim çifti Berisha-Meta. Armiq me kanun dhe jo kundërshtarë për politikë me Ramën, urryes personalë dhe jo thjesht mohues të tij, të padekretuar nga presidenti dhe të pavotuar nga parlamenti si anëtarë të qeverisë, ata janë garancia absolute për kabinetin e parë qeverisës. Berisha, edhe pse është i aftë të bëjë të betohen në emrin e tij një grusht gjithmonë e më të rrudhur militantësh dhe zëvendës i Ramës në këtë kabinet, ka zero shanse në praktikë që të kapërcejë edhe njëherë pragun e zyrës së kryeministrit. I izoluar në shtëpi dhe me vargoj të tjerë të mundshëm çështjesh penale që mund ta lidhin edhe më tej, më shumë se frymëzim, ai po shndërrohet në frymëmarrës të opozitës. Ka vënë të gjithë PD-në në funksion të axhendës së tij personale duke mos e lejuar atë të bëhet më e madhe se ambicja vetjake për hakmarrje. Zgjidhje e vetme – së paku kështu besojnë në PD – për të qeverisur opozitën, ai nuk mund të afrohet më si zgjidhje e ricikluar për një qeverisje të ricikluar nga e shkuara. Po kështu edhe Meta, politikani luftarak, të cilit dhe e majta, edhe i djathta i kanë parë edhe hajrin, edhe sherrin, është bërë mbret klikimesh, por pa alkiminë e shndërrimit të tyre në vota. Hijet e mundshme të një përballjeje me drejtësinë e bëjnë edhe më të zymtë të nesërmen e partisë së tij që ka bashkëqeverisur edhe djathtas, edhe majtas dhe që sot është një nga garancitë për një qeverisje unitare të majtë. Anëtar korrespondent i qeverisë është edhe Lulzim Basha. Evropian në dukje, por sovjetik në bindje, liberal i shpallur, por anarkisti më i madh i politikës shqiptare, Basha ka pësuar fatin e lekut në vitet 90-të, sa më shumë i rritet pesha e xhepit vetjak, aq më shumë bie poshtë në bursën e vlerës. Pa asnjë dyshim, këta tre “ministra”, përfshi këtu edhe Gazin e të tjerë si ai, që ja ka sjellë fati në derë, i vlejnë Ramës edhe më shumë se shumica dërmuese e ministrave që ai vetë ka zgjedhur sipas shijes së tij tekanjoze.
Kabineti i tretë është më i rëndësishmi. Ka vetëm një bashkëqeveritar me kryeministrin, gjithashtu të padekretuar nga presidenti dhe të pavotuar nga parlamenti për praninë e tij në kabinet. Ai është institucioni i SPAK-ut. SPAK nuk merr pjesë në mbledhjet e qeverisë. Nuk firmos vendime. Eshtë pak a shumë si fantazmë në mure dhe në ajrin e të njëjtës sallë të mbledhjeve të ekzekutivit, në zyrat e ministrave apo të drejtorëve të lartë në administratën qëndrore e lokale. Vetë Rama sheh në të majtë të tij dhe pyet veten se çfarë di Altin Dumani për atë rresht ministrash, kthen kokën djathtas dhe pyet sërish veten se çfarë mendon ai për rreshtin tjetër dhe më tej akoma, për një tabor të gjatë e domethënës me zyrtarë e ish-zyrtarë socialistë që kanë ushtruar pushtet dhe kanë përfituar nga pushteti. Madje edhe kur firmos, ndërmjet njërit fap dhe fap-it tjetër, sërish pezullon: çfarë mund të thotë Dumani për këtë firmën time? Më tej akoma, kureshtja e çon të pyesë veten edhe për fatin e garantorëve të tij në politikë, duke nisur e bitisur me Berishën dhe Metën. Po me ta çfarë do të bëhet?
Edhe njëherë, si dhe herë të tjera, herën e fundit Rama e kishte fjalën SPAK kryefjalë të fjalimit të tij në fillimjavë. Në një mënyrë apo një tjetër, ai duket se ju tha të vetëve: “Mos besoni në SPAK nëse doni, por mësoni të keni frikë nga SPAK-u!”.
Këto janë tre kabinetet që bashkëqeverisin dhe bashkëkundërshtojnë në mënyrë simultane Shqipërinë. Ato ekuilibrojnë njëra-tjetrën me tipare të ndryshme, duke nisur me mungesën e protagonizmit tek njëri, tek protagonizmi i tepërt tek tjetri apo me tentativën për parandalim e ndëshkim të mëkateve tek i treti. Eshtë e vështirë të thuhet se cili prej tyre është më i rëndësishëm, por nëse kabineti i parë është shembulli sesi nuk duhet të jetë një trupë politike, i dyti është arsyeja themelore se pse një model i tillë mbetet ende në këmbë, ndërkohë që kabineti i tretë synon ta bëjë atë, së paku më të ndershëm dhe më vulnerabël ndaj mëkatit.
Dallimet mes tre kabineteve paralelë Rama bëjnë diferencën për ofertën e zgjedhjeve të ardhshme. Socialistët kërkojnë të bëjnë aleat pikërisht aleatin e natyrshëm të opozitës, drejtësinë, kurse opozita tenton të vrasë të njëjtin aleat me armiqësi dhe urrejtje. E ndërsa Rama vazhdon të jetë i përqendruar drejt synimit të tij për të bërë poker me numrin e mandateve qeverisës, qoftë dhe duke lënë rrugës vartësit e tij që bien njëri pas tjetrit në minat e të shkuarës, opozita ka zgjedhur që për hir të çminimit dhe çimentimit të së shkuarës, të humbasë orientimin e saj drejt të nesërmes së zgjedhjeve. Atëherë kur busulla e dikurshme: “Ku ishe? Asgjëkundi! Ku po shkon? Po aty!”, do të jetë avazi vajtues katër vjeçar i Tiranës zyrtare. Do të jetë pentagrami i një tallavaje që e gagaçërojnë ata që i kanë rënë në qafë politikës me epshin që ysht kaun e verbër drejt pelës së rradhës. Me shpresën e humbësit që edhe atëherë Rama do të bashkëqeverisë me tre kabinete paralele qeveritarë e të njëjtit ministra. Me shpresën realiste që edhe pse me gjithë tepsinë e pushtetit për vete, mund t’i mbajë edhe ata në tavë aty rrotull. Pastaj kismet, shohim e bëjmë!