Politike
Olsi Rama në SPAK/ Kryeministri shpërthen ndaj Bardhit: Duhet t’i gjejë vendin gishtit të…
Kryeministri Edi Rama ka komentuar sërish sot dosjen Xibraka të bërë publike nga kreu i grupit të PD-së Gazment Bardhi, për lidhjen e saj me Olsi Ramën. Me anë të një postimi në X, Rama ka sulmuar Bardhin, duke e quajtur atë çingija. Por shtoi se duhet që të pres nga SPAK tani nëse do të gjejë provat e pretenduara nga Bardhi, apo është një kallëzim i paqenë.
Postimi i Plotë:
A ju kujtohet kur thoshte “kallzim more kallzim kam bërë” duke tundur ndenjësen mbi karrige?! Kishte zbuluar një narkotrafikant në familjen time, që e kishte kallzuar në SPAK dhe aq shumë e bëri ajrin vrimë me gisht sa e detyroi narkosin e kallzuar, t’i bënte kallzim për kallzim të rremë. Mirëpo ja që s’paska qenë kallzim i rremë sepse s’paska qenë fare hiç kallzim, po një tjetër kërcim i çingijes në prehërin e tutorit të ri lart në ballkon. Orë të tëra në parlament, intervista të tëra nëpër kanale, tituj e fjali të tëra nëpër portale, pa asnjë turp e asnjë respekt për miletin që e kanë bërë si mish në pazarin e neveritshëm të kujeve e kuisjeve të tyre, dhe si përfundim një tallje e madhe për një kallzim që nuk ekziston! Fatmirësisht SPAK-u megjithatë e ka rihapur dosjen e tundur nga çingija si dajre mbi prehërin e tutorit dhe le të presim deri në fund nëse do të gjejë provat e pretenduara nga çingija do të duhet t’i gjejë vendin gishtit të akuzës që e ka mbajtur aq shumë në ajër, për të argumentuar kallzimin e paqenë!
Kreu i Grupit Parlamentar në Partinë Demokratike, Gazmend Bardhi ka njoftuar se SPAK i ka kthyer një përgjigje në lidhje me denoncimin e bërë nga vetë ai për dosjen “Xibraka”. Bardhi shkruan se SPAK ka konfirmuar se ka rinisur hetimet për akuzat e përfshirjes së vëllait të kryeministrit Edi Rama, Olsi Rama në laboratorin e drogës. Disa javë më parë, Bardhi solli në vëmendje laboratorin e drogës që u zbulua në 2015 në Xibrakë, ku i bëri thirrje SPAK të rihapë hetimet, pasi ishte i përfshirë edhe Olsi Rama. Kreu i Grupit të PD në deklaratat e tij për çështjen, tha se automjeti me targa AA653DM, është përdorur disa herë, bashkë dhe veçmas nga Olsi Rama, vëllai i kryeministrit dhe anëtarët kryesorë të grupit kriminal të Xibrakës, Genci Xhixha, Ermal Hoxha dhe Gentjan Gjonaj.