Connect with us

Shkrime

Onkologjiku/ Plumbi i banditit apo mungesa e Avastinës, cili e shuan jeten më tragjikisht

Nga Leonard Veizi

Një plumb në zemër. Një dritë që fiket papritur. Një akt i përpiktë, i vendosur, që përfundon gjithçka në çast. Ky është imazhi i banditit kriminel që të merr jetën për një sekondë: dhunë e shpejtë, tragjedi e pastër, një fund që s’lë vend për negociata.

Në krahun tjetër qëndron mjeku xhelat – dhe këtu e kam fjalën për ata që tradhtojnë betimin, jo profesionistët humanë, — i cili nuk të vret menjëherë, por të mban në jetë duke të bërë të vuash. Ky “kujdestar” trajton trupin jo si pacient, por si burim fitimi, si një bankomat që nxjerr para derisa t’i lodhet karta.

Cili nga të dy rreziqet është më shkatërrimtar?

Pyetja zhbiron shtresa morali, pushteti, dinjiteti dhe frikë. Jemi duke jetuar dy fenomene të rënda që në Shqipëri janë kthyer në mit: ekzekutimet në qendrat publike dhe kanceri i heshtur. Ndërsa krimet i shohim të gjithë falë teknologjisë dhe kamerave, tragjedinë mjekësore e marrim vesh në heshtje. Gazetari Osman Stafa është një zë që nuk pranon të heshtë. Prej tij mësova se në spitalin onkologjik të Tiranës ka qenë në mungesë dhe po mungon në vazhdimësi medikamenti jetik Avastinë. Dhe ky nuk është medikamenti i vetëm që mungon aty ku jeta duhet shpëtuar. Dhe ky nuk është rasti i parë. Ndaj dh enë korridioret e spitaleve nis kërkes-oferta.

Dhe vijmë përsëri tek pyetja: cili është më i rrezikshëm, një bandit kriminel apo një mjek bandit?

Banditi vret menjëherë; dhuna e tij është e dukshme, e matshme, dhe e dënuar nga të gjithë. Ai shfaqet si një rrezik i jashtëm: frika, tronditja e komunitetit. Por fundi i dhunës së tij është, në një kuptim të hidhur, i prerë; vuajtja nuk zgjatet.

Mjeku-bankomat është rrezik më i fshehtë dhe më tinëzar. Ai punon me autorizim, vesh petkun e moralit dhe mbrohet nga institucionet. Ky rrezik kafshon brenda vetë mekanizmave që supozohet të na shpëtojnë. Pas shpëtimit të parë, mund të pasojnë trajtime të panevojshme, analiza të përsëritura dhe manipulim i papërballueshëm i frikës sonë. Dhe “faturat” vijnë si grumbull i pafund.

Një jetë e zgjatur me dhimbje dhe varfëri morale e ekonomike është një torturë që rrallë ka një fajtor të dukshëm; ajo është produkt i sistemit, i korrupsionit dhe i marrëdhënieve të kompromentuara.

Për të matur rrezikun, duhet të peshojmë tradhtinë. Banditi është përgjegjës individualisht; ai shkel ligjet sociale. Por mjeku që shkel etikën tradhton një betim: Betimin e Hipokratit, besimin e pacientit dhe marrëveshjen mes shoqërisë dhe profesionit. Kjo tradhti është një lloj i dyfishtë i dhunës, sepse e vendos të sëmurin, që është në pozitën më të pambrojtur, dhe pranon fitimin mbi mirëqenien.

Çfarë duhet të na shqetësojë më shumë si shoqëri?

Duhet të luftojmë të dy rastet, por me rrugë të ndryshme. Kundër banditit nevojiten siguri, drejtësi dhe masa parandaluese. Kundër mjekut-bankomat, nevojiten transparencë, etikë profesionale, kontrolle institucionale dhe e drejta e pacientit për autonomi. Ndërsa plumbi kërkon policinë, shoqëria e sëmurë kërkon ligje, kulturë dhe empati — infrastrukturën që mbron dinjitetin e jetës dhe të vdekjes dinjitoze.

Advertisement