Kronike
Operacion ndërkombëtar antidrogë me Italinë dhe Gjermaninë, 13 të arrestuar, 3 prej tyre u kapën në Vlorë
Shqipëria është bërë pjesë e një operacioni ndërkombëtar kundër trafikut të drogës, nga i cili kanë rënë në pranga 13 persona. Operacioni është zhvilluar në vendin tonë, Itali dhe Gjermani. Nga 13 të arrestuarit, 3 prej tyre janë kapur nga Forcat Operacionale në qytetin e Vlorës.
Mësohet se në pranga kanë rënë dy vëllezërit Ledian dhe Florjan Muho, 33 dhe 38 vjeç, si edhe 52-vjeçari Landi Kalemaj.
Operacioni, i iniciuar nga Policia italiane, u zhvillua njëkohësisht në Shqipëri, Itali dhe Gjermani. Finalizimi i tij, rezultat i bashkëpunimit të shkëlqyer ndërmjet Departamentit të Policisë Kriminale/Drejtorisë së Forcës së Posaçme Operacionale në DPPSh, Drejtorisë për Hetimin e Krimit të Organizuar dhe Zyrës së Interforcës Italiane në Shqipëri.
Pjesëtarë të një organizate kriminale në Itali, për trafikim narkotikësh, lokalizohen në Vlorë, kapen dhe vihen në pranga 3 shtetas. Gjatë operacionit ndërkombëtar “Sammogia”, në total, në Shqipëri, Itali dhe Gjermani, u arrestuan 13 shtetas.
Si rezultat i partneritetit shumë të mirë ndërmjet Policisë së Shtetit dhe agjencive ligjzbatuese italiane, të konkretizuar me shkëmbim intensiv informacionesh dhe operacione të njëpasnjëshme të përbashkëta, me objektiv kapjen e shtetasve të kërkuar ndërkombëtarisht, Departamenti i Policisë Kriminale/Drejtoria e Forcës së Posaçme Operacionale në DPPSh, në bashkëpunim me Drejtorinë për Hetimin e Krimit të Organizuar dhe me Zyrën e Interforcës Italiane në Shqipëri, finalizuan operacionin ndërkombëtar të koduar “Sammogia”.
Gjatë këtij operacioni të zhvilluar paralelisht në Shqipëri, Itali dhe Gjermani, u lokalizuan në Vlorë, u kapën dhe u vunë në pranga shtetasit L. K., 52 vjeç, F. M., 38 vjeç dhe L. M., 33 vjeç. Për të tre këta shtetas, Gjykata e Bolonjas ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Trafikimi i lëndëve narkotike”, kryer në kuadër të organizatës kriminale.
Interpol Tirana dhe homologët në Itali vijojnë bashkëpunimi për të kryer ekstradimin e këtyre shtetasve në Itali”, njofton policia.