Kronike
Operacioni në Itali/ Sekuestrohet pasuria e biznesmenit shqiptar

Guarda di Finanza e Bescias, ka kryer sekuestrimin e gjashtë milionë eurove, pasuri e paluajtshme të shqiptarit, Gëzim Sallakut. Mediat italiane raportojnë se masa e urdhëruar nga gjykata është marrë ndaj ish-pronarit të futbollit Darfo, sipërmarrës me origjinë shqiptare i konsideruar “me rrezik të kualifikuar, me banim në provincën e Brescias dhe me precedentë të ndryshëm penalë”, sqaron Fiamme Gialle.
Po ashtu, është marrë masa e parandalimit dhe e mbikëqyrjes së veçantë të sigurisë publike me detyrim qëndrimi në komunën e vendbanimit. Sekuestrimi u urdhërua pas hetimeve të natyrës ekonomike, pronësore dhe të të ardhurave, të cilat zbuluan një disproporcion të konsiderueshëm midis standardit të jetesës së Sallakut dhe të ardhurave të deklaruara nga i njëjti në organet tatimore.
Vila në Sale Marasino dhe gjithashtu hoteli Villa Kinzica që i atribuohet Sallakut përfunduan nën sekuestrim. Në lokalin i cili ndodhet përballë banesës së shqiptarit, po ushtrohen kontrolle pasi dyshohet se mund të ketë lidhje me veprimtarinë e Sallakut.
SI NISËN KONTROLLET DHE NDALIMI I BIZNESMENIT SHQIPTAR?
Biznesmeni 48-vjeçar shqiptar ka qenë disa herë në qendër të mediave italiane pasi është arrestuar dhe gjykuar për raste të ndryshme. Para togave të zeza, Sallaku ka dalë për shtitje të makinave të vjedhura; evazion fiskal por edhe armë pa leje e trafik droge.
Në vitin 2018 ai u prangos së bashku me vëllezërit e tij, pasi akuzoheshin për shitje dhe trafikim të lëndëve narkotike. Ata u arrestuan pas një operacioni anti-drogë që u finalizua me arrestimin e 22 personave, megjithatë biznesmeni dhe dy vëllezërit e tij, Gazmir dhe Isuf Sallaku, u liruan. Pas hekurave të qelisë ndodhet ende vëllai i tretë i Gëzimit, Taulant Sallaku. Ky i fundit akuzohet për përfshirje në një organizatë narkotrafikantësh dhe armëmbajtjes pa leje.

