Kosova
Opozita kundër Kurtit: E ka zhytur vendin në krizë me SHBA dhe BE
Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovë, Ramush Haradinaj kërkon mbështetjen e partive të tjera të opozitës për të finalizuar një mocion mosbesimi ndaj qeverisë Kurti. Në një takim me përfaqësues të biznesit, duke folur për situatën në vend, Haradinaj tha se “Kosova ndodhet në krizë të thellë” dhe është detyrë e të gjithëve për ta ndryshuar gjendjen. Pas kësaj tryeze, Besnik Tahiri, kreu I grupit parlamentar të Aleancës për ardhmërinë e Kosovës tha se opozita duhet ti mbledhë menjëherë 40 firmat për të filluar, betejën e mocionit të mosbesimit.
Haradinaj tha se veç problemeve në vend, qeveria Kurti ka çuar në përkeqësim të marrëdhënieve me fqinjët dhe ndërkombëtarët. Ndërkaq kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku ka folur për “rrugën e re” që duhet të ndjekë vendi. Ai theksoi se do të ketë takime me grupe të ndryshme interesi që kërkojnë ndryshim në Kosovë
“Do të vazhdojmë takimet me secilin grup shoqëror në vend. Kosova ka potencial të jashtëzakonshëm. Kjo gjendje e sotme, nuk është fytyra jonë e vërtetë. Kjo gjendje e sotme nuk na përfaqëson”- tha Lumir Abdixhiku.
Opozita prej kohësh kërkon largimin qe qeverisë Kurti duke e fajësuar atë për masat që ka marrë bashkimi Evropian kundër Kosovës. Gjithashtu audio përgjimi I shefes së grupit parlamentar të VV, Mimoza Kusari Lila me nënkryetarin e Listës Serbe, Slavko Simic, ka tensionuar klimën politike. Në seancën e parë pas publikimit të audio-përgjimit, në Kuvendin e Kosovës pati dhunë dhe konfrontim fizik mes depuetëve.