Rajon
Opozita serbe që pranon Kosovën/ Ja çfarë i duhet tani Perëndimit
Kryetari i Forumit Civil Demokratik në Serbi (DGF), Zoran Vuletiç, në një intervistë për gazetën malazeze “Pobjeda” theksoi se në mungesë të një grupi unik opozitar në politikën serbe që do ta pranonte realitetin në Kosovë sipas vijave të përcaktuara në vitit 2008, diplomatët perëndimorë duhet t’i referohen presidentit serb, Aleksandër Vuçiç, posaçërisht për zgjidhjen e çështjes së Kosovës.
Pritshmëria që Vuçiç do të kontribuojë në “normalizimin e marrëdhënieve” ndërmjet Kosovës dhe Serbisë është konsideruar nga njohës të shumtë të politikave ballkanike si një ndër arsyet kryesore pse autoritetet aktuale në Serbi gëzojnë mbështetjen perëndimore. Por ka edhe një faktor tjetër që është skena politike në Serbi, ku mungon një opozitë e fortë pro-pavarësisë së Kosovës.
“Nëqoftëse do të ishte e kundërta, perëndimi do të kishte një bashkëbisedues tjetër në Serbi përveç Vuçiçit. Pse është ai në këtë pozitë? Sepse nuk kemi një grup të vetëm parlamentar opozitar që do të pranonte planin perëndimor dhe realitetin në Kosovë dhe që do të kërkonte vendosjen e sanksioneve kundër Rusisë” – nënvizoi politikani liberal serb.
Në këtë drejtim, shumë analistë të huaj konsiderojnë që shpresat e bashkësisë perëndimore se perspektiva evropiane e Serbisë do ta shtynte Vuçiçin që ti përmbahet normave demokratike në vend dhe të frenohet në minimin që ai i bën vazhdueshëm shteteve fqinje, tashmë janë thyer. Serbia vazhdon të marshojë sipas një daulleje krejt tjetër nga pjesa tjetër e kontinentit evropian.