Connect with us

Politike

‘Opozita s’ka ndërmend të dëgjojë’/ Çupi: Humbëm thellë, edhe në bastione

Deputetja e PD, Dhurata Çupi, ka reaguar përmes një postimi në Facebook, lidhur me rezultatin e zgjedhjeve lokale 2023.

Ajo thotë se frytet e përçarjes gati 2 vjeçare i morën të dielën, me disfatë në bastione dhe humbje të mëdha në pjesën më të madhe të bashkive.

Sipas Çupit, mijëra demokratë qëndruan në shtëpi pa i dhënë besim asnjërës palë të opozitës, e ndërsa të tjerë të pakënaqur me qeverinë nuk gjetën përfaqësim tek asnjëra nga logot e opozitës.

“Për fat të keq, po kuptoj që lidershipi i opozitës nuk ka ndërmend të dëgjojë këmbanat e alarmit. Mesazhi është dhënë i qartë: Të ndarë jemi të humbur! Mesazhi duhet lexuar: Shumica e votuesve nuk përfaqësohen më nga kjo opozitë, nuk kanë besim tek kjo opozitë.

 

 

Demokratët, shqiptarët nuk duhet të sakrifikohen më për interesa personalë të askujt. Lidershipi aktual i opozitës, në të dyja kampet, duhet të tërhiqet dhe t’ia lërë vendin pajtimit përmes një projekti të ri politik dhe përmes njerëzve që mund të rizgjojnë besimin tek elektorati i heshtur, trupa e vetme që mund të sjellë në pushtet opozitën.

Është koha t’i lëmë vend arsyes! Të përçarë, me inate, me hakmarrje, me akuza të tmerrshme ndaj njëri-tjetrit do të përfundojmë akoma më keq!”, deklaron ajo.

Advertisement