Politike
Opozita të mos presë që Ramën t’ia rrëzojë natyra!
Nga Basir Çollaku
PD nuk duhet e demokratët nuk munden të presin një ikje të Edi Ramës nga pushteti, falë ves-vyrtyteve të natyrës, me ligjësitë e saj të pandikuara. Në këtë qasje, jetëgjatësia njerëzore është mandat i Zotit.
Qeverisja e gjatë e sektit të rilindjes, tej përputhshmërisë me mënyrën se si po sundon, katranos e mënxyros është bërë shkatërruese për vendin, duke thërmuar sistemin politik, ekonomik, juridik, arsimor e shëndetësor me një përmasë frike.
Nga viti 2013, me qelbësira e këllira në aleancë, kryeministri nuk ka ndërmend të shkulet nga karrigia e zaptuar. Ai vetëm sa thellon rezultatet e fitoreve të tij, duke copëzuar opozitën e tkurrur atë, duke e bërë të pafuqishme si kundërshtare radikale, në përballje për ta mundur.
Humbja e radhës në Himarë, jo fort surprise e bën numrin e mosfitoreve të rëndë. Dihet se Rama në pushtet sakaton proceset zgjedhore. Përdor të gjithë fuqitë e pushtetit të bardha e të zeza. Ka përfshirë intensivisht mafiozë, kriminelë, diplomatë, ambasadorë, medie, banditë, vrasës, buxhetin e shtetit, biznesmenët, të cilët i ka fuqizuar me punë publike e investime strategjike, duke formalizuar trafikantë e krim të organizuar, si burra nderi të punës. Kokaina, bitcoini, offshoret, gjithçka vlon. Ka sajuar Drejtësinë e Re, të cilën e ndikon dhe përdor gjithnjë e më shumë, duke shitur apo mbrojtur sipas llogarive, ushtarët e dalë nga rreshti.
Fuqia opozitare në vend është më e madhe se partitë opozitare. PD dhe aleatët duhet të vëzhgojnë këtë terren për të kapur shpërthimet e duhura. Kontrata e besimit kërkon njerëz garantues të saj.
Kryefjalë opozitare sunduese, duhet të jetë largimi i Edi Ramës dhe çetës së tij plaçkitëse në qeveri, bashki e çdo zyrë publike, marrë peng prej tyre. Berisha si drejtues opozite është burgosur për të mos pasur opozitë. Deputetë, funksionarë politikë, të lirë e shëndoshur disi nga obeziteti mendor, të mos bëjnë sehir e të ankohen gjithnjë se, ai i “çmenduri Rama”, nuk le gjë pa bërë e ne nuk mundemi. Të dalin jashtë unazës së vogël të Tiranës, si projekt. Ata munden.
Opozita është më e madhe se pushteti. Trarët e rrugëve kur qytetarët rrihen në rrugë, si në Thumanë, duhet të kenë të gjithë grupin parlamentar aty krah banorëve të zonës. Të hapin rrugën për në shtëpi e biznese. Jo në ekrane pas pilafit. PD, aleatët, energjitë opozitare jashtëpartiake, diaspora, e cila është shumëfishuar si prodhim qeveritar, ende nuk janë unifikuar, për t’i dalë përballë të keqes, me çdo formë, mjet e çmim. Mekanizmat institucionalë të përdorur deri më tani nga PD dhe opozita, nuk kanë funksionuar. Nuk njeh asnjë vendim gjykate, deri atë të asaj Kushtetuese. Diplomatë e ndërkombëtarë, Rama nuk i pyet. Madje shumë prej tyre i ka legenosur.
Ai mbështetet çuditërisht, sepse paguan apo se mbron interesa mbetjesh, trafiqesh e refugjatësh dhe jo sepse ka bërë Shqipërinë më demokratike, me rritje ekonomike e siguri të zbatimit të ligjit. PS dhe Rama nuk kanë zbatuar asnjë kod e asnjë marrëveshje. Kulmon ajo e 5 qershorit 2020 në ambasadën amerikane, të cilën Rama e shkërmoqi në pak ditë, duke mos pyetur për askënd, as për SHBA dhe as për BE. Shembuj kapërcimesh të duhura ka mjaft.
Në një muaj kemi raste interesante. Në Bangladesh dhe në Venezuelë krerë qeverisjesh u zhdukën. Njëra u arratis se do e bënin bërxollë në banesë apo në zyrë e tjetrin, aleatët nuk e quajnë fitues, por njohin opozitën si të tillë.
Opozita nuk duhet të kursejë askënd dhe asgjë, për të shkurtuar orët e qëndrimit të Ramës në qeveri. Mundësitë janë të shumta. Ajo mundet ta bëjë këtë.
Demokratët nuk mund e nuk duhet të presin natyrën. Çdo maskarallëk demokratik, kontribues në heqjen e antishqiptarit Rama është mëkat i larë para robit e para Zotit !