Shkrime
Opozitën e shpëton vetëm një operacion i thellë anti korrupsion
Nga Red Varaku
E djathta shqiptare mori refuzimin më të rëndë elektoral të këtyre 33 viteve duke humbur të gjitha bashkitë e vendit përfshi këtu Tropojën, Kukësin , Lezhën, Kurbinin etj por mbi të gjitha ajo humbi zemrën e të djathtës dhe antikomunizmit Shkodrën, duke ia dorëzuar këtë zemër atyre që nuk e morën dot as për 45 vjet vrasje dhe persekutime.
Pavarësisht spërdredhjeve të mjeranëve dhe mercenarëve politike dhe mediatikë që duan ta injorojnë këtë fakt , nëse deri dje aftësia e foltores për të sjellë të djathtën në pushtet ishte çështje diskutimi apo opinioni, sot kjo katastrofë elektorale është prova më kokëfortë që vërteton se lëvizja e foltores ka zero besueshmëri dhe është një dështim total, ndaj nuk ka më asnjë shans ta sjellë PD në pushtet.
Madje bazuar tek katastrofa e 14 majit, kjo lëvizje dhe korrupsioni qe ajo perfaqeson duket se është edhe arsyeja e refuzimit të PD në 2021, gjë që është evidentuar edhe nga SHBA-të nëpërmjet shënjestrimit të Sali Berishës si i korruptuar dhe minues i demokracisë.
Kështu nuk ka dyshim që një refuzim i përmasave të tilla nuk lidhet me aktorë periferikë apo sekondarë, siç po rreken të arsyetojnë kudo nëpër studio kukuvajkat mediatike të foltores, por shkon drejtpërdrejtë tek udhëheqësi kryesor i këtij koalicioni Sali Berisha dhe gjithashtu ajo shkon tek bashkëpunimi i tij korruptiv me Ilir Meten.
Një refuzim i përmasave të këtilla, ku u humbën të gjitha bashkitë dhe ku Shkodra u humb dramatikisht me 12 000 vota diferencë, nuk ka nevojë për asnjë analizë, siç rëndom po thuhet nga sharlatanët pseudo demokratë, por ka nevojë për një operacion shumë të thellë të të djathtës.
Ky operacion duhet të ketë si kryeobjektivin e saj një pastrim radikal të të djathtës dhe PD nga kanceri i korrupsionit që po i merr frymën dhe nuk po e lejon të rritet ndihmuar edhe nga PS, siç ishte fitorja e dyshimtë që i dhuruan Bardh Spahisë në 6 mars, fitore që legjitimoi dështakun kryesor te këtyre zgjedhjeve për të prodhuar më pas kapjen e të djathtës nga korrupsioni që u shënjestrua nga SHBA si problemi kryesor i të djathtës .
Bisturia nuk duhet të kursejë askënd , por sigurisht ajo duhet të shkojë në zemër të kalbësisë që ka marrë peng të djathtën dhe më pas të përfundojë me varrosjen politike të “kryekufomës” që la pas beteja e zgjedhjeve të 14 majit, sepse sa vjen e kutërbon era korrupsion.
Çdo përpjekje për ta mbajtur gjallë atë ‘paguhet’ dhe sponsorizohet drejtëpërdrejtë nga qeveria, e cila është e vetmja e interesuar për të mbajtur një opozitë që është kthyer tashmë në një fasadë të regjimit , sepse i fali apo “shiti” asaj të gjitha bashkitë pa përjashtim, duke i humbur kështu një mundësi të artë opozitës për tu rikthyer në pushtet në 2025.
Është e qartë që vetëm asgjësimi i kancerit korruptiv që ka kapur të djathtën, kombinuar dhe me goditje të metastazave korruptive të mazhorancës, që po e mbajnë gjallë këtë kalbësirë, mund të lejojë që brenda të djathtës të lindë ndonjë embrion , të cilin deri tani metastazat e korrupsionit e kanë vrarë ende pa u krijuar.
Pra, pa një bisturi nga jashtë që do të zhbllokojë sistemin politik, nëpërmjet një ndërhyrje mekanike me qëllim eliminimin e kancerit korruptiv brenda opozitës dhe me qëllim eliminimin e metastazave të mazhorancës që po e ushqejnë dhe mbajnë gjallë këtë kancer që prej 2008 po bllokon çdo ndryshim brenda të djathtës, opozita shqiptare jo vetëm e ka të pamundur të ringrihet, por do të mbetet në tregun e zi të politikës si një forcë destruktive për demokracinë.