Kosova
Optimizëm me kursim për takimin Kurti-Vuçiç
Herën e fundit kur u takuan në Bruksel, në nëntor të vitit 2022, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, bartën me vete tensione dhe pasiguri lidhur me përdorimin e targave serbe në veri të Kosovës.
Në takimin e planifikuar për datën 27 shkurt, ata do të kenë përpara një propozim të Bashkimit Evropian për normalizimin e marrëdhënieve mes tyre.
Se cili do të jetë qëndrimi përfundimtar i tyre, nuk është e qartë, por spekulimet se a do ta pranojnë ose jo planin, kanë përfshirë opinionin publik të të dyja palëve.
Po çfarë thonë qytetarët në Prishtinë?
Sipas mediave atje, shumë prej tyre shprehen se palët negociuese do të duhet të gjejnë “një mes të artë”, në mënyrë që të mos përsëriten tensionet dhe se marrëveshja me Serbinë duhet të ketë edhe mbështetjen e popullit.
Gjithashtu sipas tyre, nuk duhet të kalojë edhe shumë kohë për të arritur një zgjidhje përfundimtare, sepse njerëzit janë lodhur nga procesi i gjatë negociues.
Të pyetur nga media vendase, edhe në Beograd serbët shfaqin shpresën se Kosova dhe Serbia do të gjejnë një zgjidhje kompromisi “për hir të interesit të përbashkët”, por me nota skepticizmi ata gjithashtu shprehen se “Propozimi i BE-së për normalizimin e marrëdhënieve, nuk është i pranueshëm dhe se Serbia nuk duhet ta pranojë pavarësinë e Kosovës.
“Tanjug” shkruan se ka serb që mendojnë se pas 27 shkurtit nuk do të ketë ndonjë përparim të madh në marrëdhëniet Kosovë-Serbi dhe se, aktualisht, “të gjithë janë të kënaqur me status quo-në”.