Connect with us

Kosova

Osmani diskuton me Lajçakun për dialogun

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka thënë se ka diskutuar me përfaqësuesin e Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë- Serbi, Mirosllav Lajçak, për zhvillimet e fundit në këtë proces.

Osmani, e cila është në Nju Jork dhe është duke zhvilluar takime me diplomatë të huaj në margjina të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, ka thënë se suksesi në dialog është i lidhur me zbatim të balancuar dhe të plotë të Marrëveshjes për normalizim të marrëdhënieve dhe aneksit të saj.

Përveç kësaj, ajo ka përmendur edhe nevojën për heqjen e masave ndëshkuese të BE-së ndaj Kosovës, të cilat sipas saj, janë duke pasur ndikim te qytetarët e Kosovës.

Vetë Lajçaku ka thënë në një postim në rrjetin social X – të njohur më parë si Twitter – se është pajtuar me Osmanin që të vazhdojnë diskutimet në këtë temë.

“E kam pasur një bisedë të detajuar dhe të dobishme me presidenten Osmani për dialogun dhe rrugën përpara në avancim të zbatimit të Marrëveshjes drejt normalizimit”, ka thënë ai.

Blloku evropian ka vënë masa ndëshkuese ndaj Kosovës muaj më parë, pas rritjes së tensioneve në veri të Kosovës.

Në komunat veriore me shumicë serbe, banorët lokalë nuk i kanë pranuar kryetarët e rinj shqiptarë dhe me raste situata është përshkallëzuar në dhunë.

Kosovës i është kërkuar të punojë në përshkallëzim dhe të koordinohet me fakton ndërkombëtar për hapa të mëtejshëm.

Lajçak e ka zhvilluar rundin e ri të dialogut të nivelit të lartë në Bruksel, më 14 shtator.

Ky takim ka përfunduar pa ndonjë rezultat.

Pas përfundimit të takimit, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka akuzuar Lajçakun për qasje të njëanshme, në përputhje me qëndrimet e Serbisë, por blloku evropian i ka konsideruar akuzat si të pabaza.

Për stabilitetin në Kosovë dhe rajon, Osmani ka biseduar edhe me Sekretarin amerikan të Shtetit, Antony Bliken.

Përmes një postimi në X – platformë e njohur paraprakisht si Twitter – presidentja ka thënë se aleancën e Kosovës me Shtetet e Bashkuara është ekzistenciale dhe e pathyeshme.

Advertisement