Kosova
Osmani: Vuçiç fle mbi varreza masive, Serbia të hapë arkivat
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka deklaruar se Serbia i shkelë në mënyrë flagrantë marrëveshjet e Brukselit dhe të Ohrit.
Ajo shtoi se Beogradi madje vazhdon ta ripërsëritur krimin duke e fshehur vendndodhjen e personave të zhdukur me dhunë gjatë luftës.
“I bëj thirrje gjithë komunitetit ndërkombëtar, aleatëve dhe miqve të Kosovës që të mendojnë pak për familjarët e atyre fëmijëve të zhdukur që ende janë në varreza masive në të cilat po fle Serbia edhe 25 vite pas lufte”, tha Osmani.
Presidentja kërkoi që komuniteti ndërkombëtar të mendojë për nënat që ende shkojnë te varri i zbrazët, e për fëmijët që ende nuk e dinë se ku i kanë prindërit e tyre.
“Të mendojnë për faktin që edhe 25 vite pas lufte në krye të Serbisë janë po ata që shkaktuan zhdukjen me dhunë të më të dashurve tanë. Shpresojmë që dialogu në Bruksel nuk do të jetë më proces që Kosovës do t’i bëhet trysni, popullit të Kosovës do t’i bëhet padrejtësi ndërkaq fytyra e Vuçiçit, një njeriu që ende fle mbi varreza masive do të vazhdojë të shpëlahet padrejtësisht”, tha Osmani.
Komentet e Osmanit erdhën pas homazheve tek Memoriali për të Pagjeturit, së bashku me kryeparlamentarin Glauk Konjufca.