Rajon
Pa ne, do ju kafshojnë dhe s’do ekzistoni/ Ali Ahmeti ‘kërcënon’ maqedonasit
“Nëse maqedonasit dëshirojnë që të vazhdojnë që të jenë komb, duhet që të jetojnë në harmoni të mirë me shqiptarët, përndryshe do të gëlltiten nga serbët, bullgarët e grekët, pra s’do të ekzistojnë fare”- kështu ka deklaruar Ali Ahmeti, lideri i “Fronit Evropian” në Akademinë Solemne te organizuar në Shkup për nder të 23 vjetorit të Marrëveshjes Kornizë të Ohrit, e cila i dha fund luftës në Maqedoni.
“Vetëm me ne (shqiptarët)”, insistoi lideri i Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI), “duke bashkëpunuar, duke bashkëjetuar ata mund ta ruajnë historinë e identitetin e tyre kombëtar, përndryshe, janë të destinuar të mos ekzistojnë fare” – theksoi Ahmeti duke potencuar se “ne e mbrojmë dhe luftojmë që kjo marrëveshje as të mos cenohet as të mos rrezikohet sepse është shpëtim edhe për shqiptarët edhe për maqedonasit”.
Kreu i BDI-së, pati mesazh edhe për ata politikanë maqedonas që pretendojnë të zbatojnë politika të shekullit të kaluar në raport me shqiptarët.
“Pronësinë, të cilën e kanë menduar në vitet e 90’, le ta harrojnë, sepse pronarë jemi bashkë dhe bashkë i dalim zot edhe të mirës edhe të keqes”, deklaroi Ali Ahmeti