Shkrime
Pabesia për Kosovën dhe marrëzitë pa brekushe të Ramës
Gjithçka u sajua si një lojë politike anti-Kosovë, për ta detyruar Kurtin që të pranojë Asociacionin. Tani zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, thotë se për heqjen e masave do vendosin 27 vendet anëtare të BE-së. Ky është një kurth për Kosovën.
Profesori i marrëdhënieve ndërkombëtare, doktor Enver Bytyçi, e quan të padrejtë vendimin Bashkimit Evropian për t’i vendosur kushte Kosovës.
“Po bëhen dy muaj që kur Bashkimi Evropian pezulloi përkohësisht disa fonde të tij për Kosovën, duke e fajësuar kete te fundit për përshkallëzimin e situatës në veri të vendit. Ky lloj pezullimi u quajt nga kundërshtarët e qeverisë së Kosovës si “sanksione” të BE-së dhe e përdorën këtë fakt si argument për ta fajësuar shtetin dhe qeverinë e vendit të tyre përballë shkaktarit të vërtetë të situatës së përshkallëzuar, Serbisë së Aleksandër Vuçiç” – deklaroi Bytyçi duke theksuar edhe se mosalokimi i fondeve nuk e dëmton Kosovën vetëm ekonomikisht.
“Dëmin më të madh po ia shkakton Kritika shqiptare e pro-serbe. Ajo lloj kritike që politikanë shqiptarë të kryesuar nga kryeministri i Shqipërisë, po e përdorin për denigrimin e qeverisë së Kosovës dhe promovimin e qeverisë dhe presidentit të Serbisë. Kjo është drama më e madhe e kësaj që shohim të ndodhë. Dhe me siguri që aktorët evropianë, të cilët realizuan këtë lloj skenari e dinin se politikanë, analistë, gazetarë, spiunë, banditë të mafies në pushtet në Shqipëri e në Kosovë, do të viheshin në krah të Serbisë dhe kundër Kosovës”, shprehet profesor Bytyçi I cili hedh kritika të ashpra ndaj kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama për qasjen ndaj Kosovës dhe kryeministrit Albin Kurti.
“Kryebanditi politik i politikës shqiptare, Edi Rama, thoshte se “Albin Kurti po e destabilizon veriun e Kosovës dhe rajonin, sepse ai ka kërkesa maksimaliste”! Pak ditë më pare ai foli për një lloj “Donbasi” në Ballkan, e njëkohësisht u përpoq ta fajësojë Kurtin për këtë, pasi, siç tha – “Serbia nuk ka kapacitete për ta bërë këtë”! Ky Donzhuan politik me dhe pa brekushe ka shkuar shumë larg. Ai po u gëzohet atyre që quhen sanksione ndaj Kosovës dhe ndërkohë i bën thirrje Evropës e NATO-s që ta mbrojnë Serbinë nga të tilla sanksione. Jemi në pikën ekstreme të marrëzisë. Një marrëzi, të cilën nuk mundën ta parashikonin as Fishta e as Konica!”, shprehet profesor Bytyçi duke shtuar që edhe pse masat kundër Kosovës ishin të padrejta dhe jo proporcionale, qeveria dhe Albin Kurti kanë bërë lëshime të mëdha.
“Në këto kushte qeveria dhe kryeministri Kurti kanë nisur të zbatojnë një plan shtensionimi përfundimtar. Kanë reduktuar në minimum me 50 përqind numrin e policëve dhe të forcave speciale në komunat e veriut. Janë të gatshëm të zhvillojnë zgjedhjet e reja në këto komuna dhe madje kanë paralajmëruar se kjo do të ndodhë shpejt me dorëheqjet e katër kryetarëve aktualë. Edhe pse masat kundër Kosovës ishin të padrejta dhe jo proporcionale, qeveria dhe zoti Kurti kanë bërë lëshime të mëdha. Ndërkohë shkaktari i kësaj situate, pra Serbia dhe presidenti i saj Vuçiq vazhdojnë të përkëdhelen, edhe pse bojkotuan zgjedhjet dhe ushtruan dhunë kundër policisë dhe KFOR-it”, nënvizon Bytyçi.
Më tej, profesori paralajmëron edhe një kurth të ri anti-Kosovë nga BE.
“Tani zëdhënësi i BE-së, Stano, thotë se për heqjen e këtyre kufizimeve vendosin të 27 vendet anëtare të BE-së. Ky është një kurth anti-Kosovë. Forcat e errëta anti-Kosovë e anti-Europë arritën t’i bindin të 27 vendet që të vendosin kufizime e të bllokojnë fondet për Kosovën. Ndër këto forca radhitet edhe kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama dhe diplomacia e tij anti-kombëtare.
Tani do të duhet kohë që një, dy ose tri vende që punojnë hapur për Serbinë e kundër Kosovës të binden për të hequr këto kufizime. Duke e ditur këtë, Stano thotë se “Kosova duhet të hedhë hapa të tjerë për heqjen e atyre që armiqtë e Kosovës i quajnë “Sanksione”! Po cilët janë këto hapa të tjerë? Çfarë fshihet pas kësaj kërkese? Kush, cili lider evropian apo shtet i BE-së kërkon lëshime më dëm të integritetit territorial dhe sovranitetit shtetëror të Kosovës?!”.
Ky “kurth” i ri, sipas Bytyçit ka për qëllim gjunjëzimin e qeverisë Kurti përballë presionit ndërkombëtar.
“Më tej na lind dyshimi se gjithçka u sajua si një lojë politike anti-Kosovë, për ta detyruar Albin Kurtin që të pranojë Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe, si një mekanizëm për shkatërrimin e shtetësisë. Në këto kushte do të duhet që gjithë vëmendja e shtetit dhe institucioneve kosovare të përqendrohet te njohja e pavarësisë nga ana e Vatikanit dhe Ukrainës. Sinjalet që janë dhënë duhet ta inkurajojnë këdo që e do vendin e tij për të punuar fort në këtë drejtim. Kurthi evropian i kufizimeve dhe pezullimit të sanksioneve me domosdonë e votës unanime të 27 vendeve kishte për qëllim gjunjëzimin e qeverisë dhe institucioneve të Kosovës. Prandaj 56 personalitete të politikës në Evropë e vendet aleate të saj shkruan letrën e shumë të dëshiruar për të thënë se këto masa ishin të padrejta. Por Stano thotë që ai e Komisioni, madje as parlamenti, nuk kanë fuqi t’i anulojë ato. Këtë fuqi e ka konsensusi i plotë i të gjitha vendeve të BE-së” – theksoi profesori i marrëdhënieve ndërkombëtare, doktor Enver Bytyçi.