Connect with us

DOSSIER

Pablo Neruda u vra! Analizat e ekspertëve

Ekspertët mjeko-ligjorë kanë bërë me dije se poeti kilian Pablo Neruda vdiq nga helmimi gati 50 vjet më parë. Lajmin e dha të hënën një anëtar i familjes së fituesit të çmimit Nobel. Zbulimi u bë nga Rodolfo Reyes, një nip i Nerudës. Qëndrimi zyrtar i deklaruar prej kohësh ka qenë se Neruda vdiq nga ndërlikimet e kancerit të prostatës, por shoferi i poetit pretendoi për dekada të tëra se ai ishte helmuar.

Nuk pati asnjë konfirmim të komenteve të Reyes nga ekspertët mjeko-ligjorë nga Kanadaja, Danimarka dhe Kili, të cilët kanë planifikuar të publikojnë një raport të mërkurën mbi shkakun e vdekjes së Nerudës. Ekspertët ndërkombëtarë të mjekësisë ligjore disa vite më parë hodhën poshtë pretendimet se shkaku zyrtar i vdekjes ishte dobësia e trupit për shkak të sëmundjes kronike – në këtë rast, kancerit. Por shtuan se nuk e dinin saktësisht se çfarë e vrau Nerudën.

Në një intervistë me Associated Press, Reyes tha se testet mjekoligjore të kryera në laboratorët danezë dhe kanadezë treguan një prani të “një sasie të madhe të cloristridium botulinum“. Toksina e fuqishme mund të shkaktojë paralizë në sistemin nervor deri në vdekje. Si avokat në çështjen gjyqësore për vdekjen e xhaxhait të tij, Reyes tha se ka akses në raportin mjeko-ligjor, i cili u krye pasi i njëjti grup ekspertësh tha në 2017 se kishte indikacione për një toksinë në kockat e poetit të ndjerë.

Raporti do të publikohet pothuajse 50 vjet pas vdekjes së poetit dhe anëtarit të Partisë Komuniste të Kilit. Neruda, i cili ishte 69 vjeç dhe vuante nga kanceri i prostatës,kur  vdiq në kaosin që pasoi grushtin e shtetit të Kilit të 11 shtatorit 1973, që rrëzoi presidentin Salvador Allende dhe vendosi në pushtet gjeneralin Augusto Pinochet.

Trupi i Nerudës u zhvarros në vitin 2013 për të përcaktuar shkakun e vdekjes së tij, por ato teste nuk treguan asnjë agjent toksik ose helm në kockat e tij. Megjithatë familja dhe shoferi i tij kërkuan hetime të mëtejshme. Neruda u rivarros në shtëpinë e tij të preferuar me pamje nga Bregu i Paqësorit vitin e kaluar.

Më pas, në vitin 2017, një ekip shkencëtarësh ndërkombëtarë përcaktoi se Neruda nuk vdiq nga kanceri ose kequshqyerja, duke hedhur poshtë shkakun zyrtar të vdekjes, por duke mos e përcaktuar shkakun.

Neruda, i cili ishte më i njohur për poezitë e tij të dashurisë, ishte një mik i Allendes, i cili vrau veten në vend që t’u dorëzohej trupave gjatë grushtit të shtetit të udhëhequr nga Pinochet. Neruda u traumatizua nga pushtimi, persekutimi dhe vrasja e miqve të tij. Ai planifikoi të shkonte në mërgim, ku do të kishte qenë një zë me ndikim kundër diktaturës.

Por një ditë para nisjes së tij të planifikuar, ai u dërgua me ambulancë në një klinikë në kryeqytetin e Kilit, Santiago, ku ishte trajtuar për kancer dhe sëmundje të tjera. Neruda vdiq zyrtarisht atje më 23 shtator 1973, nga shkaqe natyrore. Por dyshimet se diktatura kishte gisht në vdekjen e tij mbetën për shumë kohë në mendjet e njerëzve, edhe pasi Kili u kthye në demokraci në 1990.

Gjatë jetës së tij, Neruda grumbulloi dhjetëra çmime, duke përfshirë Çmimin Nobel për Letërsinë e 1971, por vitet e fundit janë shfaqur kritika nga grupet feministe për një përdhunim që ai kreu në vitet 1930 dhe të cilin ai e rrëfeu në librin e tij “Unë rrëfej se kam jetuar.” Ai gjithashtu kritikohet për braktisjen e vajzës së tij të vetme, Malva Marina, sepse ajo kishte lindur me hidrocefalus (deformimi i kokës).

Advertisement