Connect with us

Aktualitet

Paga mesatare 900 euro, Ibrahimaj: E realizueshme

Deklarata e kryeminstrit për të bërë pagën mesatare në 2024, 900 euro në muaj ka ngjallur jo pak debat dhe skepticizëm për realizimin e saj.

Ministrja e Financave Delina Ibrahimaj në një intervistë për emisionin “E-ZONE” tha se ky është një objektiv i realizueshëm në dy vite dhe tre janë burimet se ku do të gjënden paratë për këtë nismë.

“Së pari ,ne do të vijojmë punën fort që pagat në sektorin privat të mos jenë të nëndeklaruara, duke shmangur evazionin. Së dyti, strategjia afatmesme e të ardhurave na dikton që do të heqim disa përjashtime tatimore për të reduktuar evazionin, çka do të thotë më shumë para në arkën e shtetit dhe së treti, do të bëjmë disa lëvizje në shpenzimet buxhetore, pa cenuar treguesit kryesorë, për të alokuar fondet tek pagat”, u shpreh ministrja.

Sipas ministres, qeveria ka kohë që po analizon tregun e pagave për t’i bërë rrogat e administratës më konkurruese.

“Kjo nuk është një nismë që na erdhi si ide sot, por kemi muaj që punojmë duke bërë një analizë të pagave të administratës publike me vendet e rajonit. Duke rritur pagat e administratës, kjo do të shërbejë edhe si presion që edhe biznesi privat të rrisë më tej rrogat e punonjësve”, sqaroi Ibrahimaj në emisionin “E-ZONE”.

Advertisement