Connect with us

Kosova

Pagëzimi/ Na duhet një emër për Asociacionin

Kushti i kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, që Asociacioni i komunave me shumicë serbe të mos jetë njëetnik dhe ta ndryshojë emrin, në mënyrë që të merret në konsideratë formimi eventual i tij, paraqet ide për ndryshimin e Marrëveshjes së Brukselit, vlerësojnë njohësit e proceseve politike

Me këtë marrëveshje – që Kosova dhe Serbia kanë arritur në vitin 2013 në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve – është paraparë edhe formimi i Asociacionit, por nuk është zbatuar kurrë.

Kosova refuzuar ta themelojë atë, duke thënë se “asociacioni njëetnik” është në kundërshtim me Kushtetutën e saj dhe mund të çojë në ndarjen e vendit.

Me insistimin e bashkësisë ndërkombëtare, Kurti, në fillim të shkurtit, ka dalë me gjashtë kushte për formimin e Asociacionit – mes tjerash: të mos jetë njëetnik, ta ndryshojë emrin dhe të mos ketë pushtet ekzekutiv.

Analistët nuk e përjashtojnë mundësinë që kërkesa e Kurtit për ndryshimin e emrit të shtrohet në tavolinën e bisedimeve në Bruksel, më 27 shkurt, kur edhe është planifikuar një takim i Kurtit me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiç.

Kryeministri i Kosovës, megjithatë, ka thënë se diskutimet atë ditë pritet të bëhen rreth propozimit të BE-së për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi.

Të interesuar pranë zyrës së Kurtit për më shumë sqarime rreth kërkesës për ndryshimin e emrit të Asociacionit, mediat në Prishtinë nuk kanë marrë kurrë përgjigje. Edhe përfaqësuesit e partive politike opozitare, Partisë Demokratike të Kosovës dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës, thonë se nuk kanë marrë asnjë sqarim nga Albin Kurti për këtë ide.

NTV.AL

 

Advertisement