Connect with us

Rajon

Pajtimi në Bruksel/ Gati zgjedhjet në veri të Kosovës

Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian, Josep Borrell, pas takimeve mbi katërorëshe me kryeministrin Albin Kurti dhe presidentin Aleksandër Vuçiç, në një përpjekje për t’i dhënë fund tensioneve në veri të Kosovës, deklaroi se I vetmi pajtim që është arritur  janë zgjedhjet e parakohshme në 4 komunat veriore, por për modalitetet se si dhe kur do të organizohen – ka thënë ai – do të punohet ende.

Borrell ka thënë se para palëve ka bërë propozime konkrete, që kanë të bëjnë me tërheqjen e forcave speciale policore të Kosovës nga afërsia e 4 objekteve komunale, tërheqjen e kryetarëve nga objektet komunale si dhe frenimin e protestuesve serbë nga dhuna.

Në lidhje me arrestimet e disa serbëve, pas protestave të fundit në veri, Borell tha se “nuk mund të ketë mosndëshkim për autorët e dhunës, por edhe theksoi se “arrestimi ose keqtrajtimi arbitrar e i padrejtë i të burgosurve është krejtësisht i papranueshëm”.

“Kemi prezantuar para palëve pritshmëritë tona. Nga Kosova kemi kërkuar pezullimin e aktiviteteve policore nga objektet komunale dhe kryerjen e detyrave të 4 kryetarëve nga lokacione alternative, kurse nga Serbia që të tërheqë protestuesit” –  ka thënë Borrell, duke shtuar se pas qetësimit të situatës, duhet të vazhdojë dialogu i BE-së si dhe të implementohen marrëveshjet e arritura, ku parashihet edhe themelimi i Asociacionit të Komunave me shumicë Serbe.

Advertisement