Politike
Pak orë nga bllokimi i Tiranës/ Thirrja e Berishës për qytetarët: Na u bashkoni
Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha ka bërë thirrjen e fundit për protestën e sotme të opozitës. Në një deklaratë për mediat sot, Berisha i ka kërkuar qytetarëve të Tiranës që t’i bashkohen protestës së pasdites, e cila do të nisë në orën 17.00 dhe do të zgjasë për më shumë se 3 orë. Kryedemokrati shprehet se ky akt i radhës i mosbindjes civile bëhet për të gjithë shqiptarët dhe problemet që ata kanë.
“Sot është dita e një revolte, e mosbindjes civile, të PD-së dhe opozitës, në emër të mbi 1.1 milion shqiptarëve që u larguan nga Shqipëria nga ky regjim për shkak të varfërisë dhe privimit të lirive. Është revolta në emër të 800 mijë pensionistëve, që u trajtuan nga kjo qeveri në mënyrën më çnjerëzore. Pensionistët e Shqipërisë sot marrin një pension të barabartë me 1 qen shtëpie në Gjermani, që paguhet 130 euro. Është protesta në emër të qindra mijëra të rinjve, të cilët kanë si alternativë të vetme largimin nga Shqipëria. Është protesta në emër të qindra mijëra fermerëve, të cilët janë fermerët më të diskriminuar të Europës, më të pambështetur, për të cilët në buxhetin e shtetit, ndonëse japin 20 për qind të prodhimit të brendshëm, ndonëse përbëjnë rreth 40 për qind të popullatës, janë parashikuar gjithsej 44 milionë euro. Është revolta e mbarë shqiptarëve që duan të jetojnë në Shqipëri. Që duan të ndërtojnë jetën, mirëqenien dhe të ardhmen në këtë vend ku plaçkiten nga një grup hajdutësh që nuk i kanë pasur kurrë në historinë e vendit. Kjo protestë, kjo revoltë zhvillohet edhe në shenjën e sakrificës që demokratët janë të vendosur të bëjnë në emër të shqiptarëve në këto prag festash. Ndaj ftoj qytetarët e Tiranës dhe mbarë Shqipërisë sot në ora 5, marshim në Tiranë, Tirana në duart e qytetarëve,”-tha Berisha.
Protesta e sotme pritet që të zgjasë për 3 orë dhe që do të mbajë gjatë kësaj kohë të bllokuara 5 nga akset më kryesore të kryeqytetit.