Connect with us

Shkrime

Pakti i BE-së për Kosovën ka humbur shkëlqimin

“Vetëm disa ditë pasi Bashkimi Evropian trumbetoi një marrëveshje midis liderëve të ish-armiqve të kohës së luftës, Serbisë dhe Kosovës, të gjitha palët duket se po pajtohen para se gjithasyh për një gjë: Se në fakt nuk kanë ende një marrëveshje” – Kështu shkruan për takimin e 27 shkurtit në Bruksel, agjencia e lajmeve, Reuters.

Pas pritjes së bisedimeve ndërmjet presidentit serb Aleksandar Vuçiq dhe kryeministrit të Kosovës Albin Kurti, shefi i politikës së jashtme të BE-së, Josep Borrell tha të hënën se ishte i kënaqur të njoftonte se ata “kanë rënë dakord se nuk nevojiten diskutime të mëtejshme” për propozimin e BE-së për të vendosur marrëdhëniet e tyre në rrugën drejt normalizimit.

Borrell paralajmëroi se dyshja duhej të binte dakord për një aneks për zbatimin e planit, por shërbimi diplomatik i BE-së vazhdoi dhe publikoi tekstin e marrëveshjes bazë atë natë, duke shtuar ndjenjën se bëhet fjalë për një momenti historik.

Çdo marrëveshje për normalizimin e lidhjeve midis Beogradit dhe Prishtinës do të ishte një nxitje për ambiciet e BE-së për t’u bërë një lojtar më i madh gjeopolitik dhe do të zvogëlonte rrezikun e ripërtëritjes së dhunës midis dy fqinjëve ballkanikë.

Megjithatë, teksti nuk u nënshkrua nga udhëheqësit e dy vendeve, dhe që atëherë është bërë e qartë se asnjë nga lojtarët kryesorë nuk e sheh atë si një gjë tashmë të kryer

Sipas Reuters, Të dyja palët janë pajtuar për një qëndrim të tillë (që të mos vazhdojë diskutimi i tekstit bazë), por kjo nuk do të thotë se palët e kanë pranuar zyrtarisht marrëveshjen. Pranimi bëhet vetëm me nënshkrimin e të dyja palëve”, tha Kurti në Kuvendin e Kosovës.

Vuçiq theksoi të martën se nuk do të nënshkruajë asnjë tekst derisa të jetë i kënaqur me aneksin. Ai gjithashtu deklaroi se nuk do të nënshkruajë asgjë që njeh Kosovën “formalisht apo joformalisht” dhe nuk do të pajtohet kurrë me anëtarësimin e saj në Kombet e Bashkuara.

Kosova shpalli pavarësinë në vitin 2008, pothuajse një dekadë pasi lufta i dha fund sundimit serb. Por Serbia ka vazhduar ta konsiderojë Kosovën si një krahinë të shkëputur dhe tensionet mes dy palëve kanë ngjallur frikën e një rikthimi në konflikt.

Kurti dhe Vucic tani do përballen me presion të ri ndërkombëtar për të rënë dakord për të gjithë marrëveshjen kur të takohen në Ohër në Maqedoninë e Veriut më 18 mars, me BE-në edhe si lehtësuese dhe ndërmjetësuese.

Plani i BE-së nuk e detyron Serbinë të njohë Kosovën e pavarur, por do të njihte dokumente si pasaporta, diploma dhe targa dhe nuk do të bllokonte anëtarësimin e Kosovës në asnjë organizatë ndërkombëtare.

Zyrtarët thonë se çështja më e vështirë për t’u trajtuar në bisedimet mbi aneksin e zbatimit është Asociacion i propozuar i komunave me shumicë serbe në Kosovë. Lideret e shumicës shqiptare të Kosovës kanë argumentuar se një organ i tillë do t’i jepte Beogradit një ndikim të madh në vendin e tyre, ndërsa serbët thonë se është e nevojshme të mbrohen të drejtat e tyre.

Kryeministri Kurti tha të martën se nuk do të pajtohej me asnjë organ zyrtar që shkel Kushtetutën e Kosovës, që është monoetnik apo që i jep Serbisë mundësi për të ndërhyrë në çështjet e Kosovës. Pavarësisht se kanë theksuar vijat e tyre të kuqe, Vuçiq dhe Kurti duket se po lënë hapësirë për manovrim.

Ndërsa Vuçiq thotë se ai as “joformalisht” nuk do ta njohë Kosovën, një përkufizim i tillë është në fund të fundit një çështje interpretimi.

Kur bëhet fjalë për anëtarësimin në OKB, vetëm anëtarët me të drejtë veto të Këshillit të Sigurimit mund të bllokojnë një aplikim. Aleati tradicional i Serbisë, Rusia, mund të pengojë Kosovën, por Beogradi i vetëm nuk mund të vendosë nëse Kosova do të anëtarësohet në OKB.

Për një Asociacion me shumicë serbe në Kosovë, zyrtarë nga BE dhe Shtetet e Bashkuara – të cilat gjithashtu kanë bërë trysni ndaj Beogradit dhe Prishtinës për të arritur një marrëveshje – këmbëngulin se ai mund të krijohet ligjërisht dhe pa i dhënë Serbisë ndikim të panevojshëm – shkruan Reuters

 

 

 

 

Advertisement