Politike
Paloka: Yuri Kim pret këstin e fundit nga qeveria, reagimi i ashpër i SHBA
Përplasje mes deputetit të Partisë Demokratike, Edi Paloka dhe ambasadores së Shteteve të Bashkuara të Amerikës Yuri Kim! Duke vijuar ‘betejën’ e kryedemokratit Sali Berisha, Paloka tha se ambasadorja Kim është paguar që ditën e parë që ka ardhur nga kryeministri Edi Rama për ta mbështetur atë në çdo gjë. Gjatë një interviste të dhënë për emisionin ‘7pa5’ në Vizion Plus, Paloka, referuar deklaratave të bëra një ditë më parë nga Kim, tha se ato ishin retorika normale në mënyrë që ambasadorja të marrë këstin e fundit të pagesës nga qeveria.
Sipas Palokës, qëllimi i Ramës dhe diplomatëve të huaj që paguheshin prej tij ishte eliminimi i opozitës, por nuk ja kanë arritur dot qëllimit. Deputeti tha se në ditët në vijim pritet të ketë të tjera deklarata nga ambasadorja, por që demokratët nuk do t’i ndalin betejat e tyre. Mirëpo, këto deklarata nga nuk kanë mbetur pa përgjigje. Ambasada e SHBA-ve në Tiranë, në një përgjigje për Vizion Plus i kanë konsideruar baltosje. Në reagim, ambasada shton se kjo formë sjelljeje bën pjesë tek taktikat e vjetra, që nuk janë të denja për një vend të NATO-s dhe që synon anëtarësimin në Bashkimin Europian. Në përgjigje, deputeti i PD-së konsiderohet si një mbetje e të kaluarës nga Ambasada.
Deklarata e Edi Palokës: Në 2021 thamë 1000 gjëra dhe ikëm e shkatërruam PD. Këtë herë nuk do lejojmë me të gjitha mënyrat që të vendoset rezultati i zgjedhjeve nga presione qeveritare dhe para mafie dhe inceneratorësh. Ata që do e bëjnë do japin edhe llogari për këtë. Reagimin e kanë bërë demokratët dhe shqiptarët që para një viti. E kanë marrë përgjigjen zonja McGonigal e të gjithë që i shërbejnë Ramës.Ata kishin si qëllim eliminimin e opozitës. Por ajo fazë ka kaluar. Demokratët janë përditë në betejë me Edi Ramën për të çuar në shtëpi Ramën dhe veglat e tij. Zonja pret këstin e fundit, se këtë ka bërë që ditën e parë që ka ardhur është vënë në shërbim të Ramës sepse merr diçka. Skandali McGonigal e bëri të qartë se si funksionojnë këto gjëra. Do ketë prapë mbështetje për Ramën që zonja të meritojë këstin e fundit”, tha Paloka.
Deklarata e ambasadës së SHBA-ve: Baltosja dhe gënjeshtrat për Ambasadoren e SHBA janë një taktikë e vjetër të cilën shqiptarët e njohin sepse është përdorur ndaj çdo ambasadori si mënyrë për të sulmuar politikën e SHBA. Këto metoda të vjetra janë të padenja për një aleat krenar të NATO-s, vend aspirant për në BE, dhe mik të vyer të Shteteve të Bashkuara. Këto mbetje të turpshme të së kaluarës duhet të mbeten në të kaluarën.
Ky debat vjen një ditë pas intervistës së ambasadores Kim për Zërin e Amerikës, gjatë të cilës ajo kërkoi që në listat e kandidatëve për zgjedhjet lokale të 14 majit, të ketë kandidatë të pastër dhe me integritet. Kim e konsideroi totalisht ta gabuar pjesëmarrjen e kryedemokratit Sali Berisha në këto zgjedhje. Duke theksuar faktin që ai është shpallur non-grata nga DASH, Kim shtoi se premtimi i Berishës për të luftuar korrupsionin është i barazvlefshëm me një zjarrvënës që premton të shuajë flakët. Vetë Berisha iu përgjigj në rrjetet sociale dhe kërkoi që autoritetet amerikane të hetonin aferat e ambasadores dhe pronat e saj në Shqipëri.