Bota
Papa Françesku përcillet në banesën e fundit/ Mbi 200 mijë njerëz pjesë e funeralit, si do të ulen liderët

–Nesër, më 26 prill do të zhvillohet ceremonia mortore e Papa Françeskut. Mijëra besimtarë dhe mbi 170 delegacione nga mbarë bota do të mblidhen para Bazilikës së Shën Pjetrit në Vatikan. Ceremonia pritet të jetë një nga ngjarjet më të mëdha shtetërore dhe fetare të dekadës, me praninë e krerëve të shteteve, qeverive dhe udhëheqësve shpirtërorë.
Ndërkohë ende nuk është publikuar tabela zyrtare e karrigeve. Donald Trump pritet të ketë një ‘vend të nivelit të tretë’ në meshën mortore të Papa Françeskut Trump, i cili është mësuar të jetë në ballë të ngjarjeve botërore, nuk ka gjasa të ketë një pozicion të spikatur në caktimin e karrigeve kur të mbërrijë në Bazilikën e Shën Pjetrit nesër në mëngjes. Shumë nga 50 krerët e shteteve dhe 10 monarkët në fuqi do të jenë të pranishëm, por tradita sugjeron që përparësia për karriget në rreshtin e parë do t’u jepet mbretërve katolikë.
Personalitetet e huaja ka të ngjarë të ulen në një bllok të madh në njërën anë të arkivolit, përballë kardinalëve, patriarkëve, peshkopëve dhe kryepeshkopëve, raporton The Telegraph. Familja mbretërore katolike do të ulet në rreshtin e parë, e ndjekur nga mbretërorët jo-katolikë, përfshirë Princin William. Udhëheqësit botërorë, krerët e shteteve dhe personalitete të tjerë të huaj do të ulen pas tyre. Shumë nga udhëheqësit e huaj që marrin pjesë në ceremoninë e së shtunës, përfshirë Trump, së bashku me zonjën e parë Melania Trump, dhe udhëheqësin ukrainas Volodymyr Zelensky, pritet të mbërrijnë në Romë në orët e vona të ditës së sotme.
Masat e sigurisë
Autoritetet italiane dhe të Vatikanit e kanë vendosur zonën përreth Shën Pjetrit nën siguri të rreptë me dronë të bllokuar, snajperë në çati dhe avionë luftarakë në gatishmëri. Që mbrëmjen e sotme, një anije luftanije e Marinës Ushtarake italiane do të hedhë ankorohet përballë bregdetit të Fiumicinos, jo larg nga gryka e lumit Tiber. Ajo është e pajisur gjithashtu me sisteme kundërraketore dhe me teknologji për ndërprerjen e menjëhershme të çdo kërcënimi që mund të përfshijë një rreze të gjerë territoriale.
Sistem i integruar mbrojtjeje
Bëhet fjalë për një sistem mbrojtjeje të integruar ku ‘bashkohet’ teknologjia ushtarake dhe kontrolli tokësor i forcave të rendit, përfshirë edhe ushtrinë. Pothuajse njëmbëdhjetë mijë burra e gra në total janë angazhuar. Një numër që, megjithatë, mund të ndryshojë në kohë reale sipas nevojave dhe që nuk është parë më që nga koha e varrimit të Papa Gjon Palit II në vitin 2005, edhe ai i mbajtur në prill: 2.500 forca nga policia, karabinierët dhe Guardia di Finanza, mbi 1.000 pjesëtarë të shërbimeve inteligjente, të cilëve u shtohen rreth 500 agjentë të sigurisë që shoqërojnë 170 delegacionet e huaja.
Dhe ende të paktën 1.500 ushtarë të tjerë, me jo më pak se 2.000 policë bashkiakë që do të merren me qarkullimin rrugor dhe me respektimin e mbylljes së rrugëve gjatë kalimit të kortezheve presidenciale, të gjithë të shoqëruar me eskortë. Janë vendosur gjithashtu sisteme “jammer” për të neutralizuar celularët e dyshimtë, të konsideruar si të mundshëm për t’u përdorur si telekomanda për shpërthime.
Pika kontrolli dhe detektorë metali
Sistemi i sigurisë i konceptuar me “rrethe koncentrike”, i ngritur nga Drejtoria e Policisë së Romës, bazuar në udhëzimet e Prefekturës pas disa mbledhjeve të Komiteteve Provinciale për Rendin dhe Sigurinë Publike, parashikon pesë zona të kuqe përreth Vatikanit, me pika kontrolli për kalimin e këmbësorëve dhe detektorë metali, si dhe një shtim të ndjeshëm të agjentëve dhe patrullave sa më shumë që i afrohemi qendrës dhe Selisë së Shenjtë. Kjo do të jetë totalisht e blinduar, sepse, siç deklaroi dje shefi i policisë Roberto Massucci, “ngjarja e nesërme nuk mund të klasifikohet në asnjë manual të rendit publik”.
Katër nivele sigurie
Plani i sigurisë është ndërtuar në katër dimensione: Në ajër, me helikopterët e forcave të rendit që do të patrullojnë vazhdimisht. Në tokë, me patrullat, njësitë antiterror dhe antisabotazh, si dhe mbrojtjen e delegacioneve të huaja — zona e Pariolit do të jetë praktikisht jashtë përdorimit për 24 orë për shkak të qëndrimit të presidentit amerikan Donald Trump në rezidencën Villa Taverna — me pika fikse kontrolli ku do të jenë të pranishme edhe 50 autoambulanca të shërbimit të urgjencës Ares 118, 6 pika mjekësore të avancuara dhe të paktën 20 skuadra zjarrfikësish, përfshirë mjete të specializuara për zbulimin e substancave toksike dhe radioaktive (NBCR); Në nëntokë, me skuadrat speciale të vendosura nëpër stacione dhe tunelet e metrosë; Në lumin Tiber, nga ku, në distancë, do të duket silueta e anijes luftarake “Caio Duilio”.
Veshja e Papa Françeskut
Papa Françesku do të varroset në rreshtin e bazilikës së Santa Maria Maggiore, ai do të veshë një mantel të krijuar nga Filippo Sorcinelli, stilisti dhe artisti italian, rrobaqepës i papëve.
“Unë u përpoqa të imagjinoja një veshje që nuk e impononte zërin e saj, por përkundrazi ruante të gjithë zërat që Françesku dinte të përqafonte: ata më të voglit, të përjashtuarit, ata që vuajnë, së bashku me të gjithë ata që përbëjnë komunitetin e Kishës në mbarë botën. Veshjet e shenjta që bëra për të nuk janë rekuizitarë, por instrumente shërbimi, si ai, ato nuk janë të destinuara për të mahnitur, por për të shoqëruar një liturgji të mishëruar, njerëzore dhe të thellë. Në ndërhyrjen time stilistike për Papa Françeskun, mora parasysh origjinën e tij gjeografike, larg liturgjive evropiane të ankoruara fort në traditë, dhe kisha intuitën se periudha historike të cilës duhet t’i referohesha për veshjet e tij të shenjta ishte ajo mesjetare,”-u shpreh stilisti.
Papa Françesku u nda nga jeta në moshën 88-vjeçare më 21 prill një ditë pas Pashkëve. Papa Françesku vdiq nga një goditje në tru dhe si pasojë e dështimit të pakthyeshëm të zemrës. Për nëntë ditë me radhë u mbajt meshë në përkujtim të shpirtit të Françeskut – të ashtuquajturat novendiale. Trupi i Papa Françeskut aktualisht është vendosur në një arkivol në kapelën e rezidencës Santa Marta, ku ai jetoi gjatë papatit të tij 12-vjeçar.

