Sport
Paqe në fushë dhe përleshje mes tifozëve e policisë, Lazio – Roma mbyllet në barazim

VIDEO/ Derbi i Romës, përplasje mes policisë dhe tifozëve të Lazios! Forcat e rendit përgjigjen me tymuese, plagosen 13 oficerë
ROMË – Këtë të diel (13 prill) në “Olimpico” të Romës luhet derbi mes Lazios dhe Romës (20:45), i vlefshëm për raundin e 32-të në Serie A. Portat e stadiumit u hapën në 18:00, teksa në rrugët e kryeqytetit italian nuk munguan përplasjet mes tifozëve dhe policisë. La Repubblica raporton për 13 oficerë të plagosur.
Mediet tej Adriatikut bëjnë me dije se tensionet u rritën në maksimum kur një grup i tifozëve të Lazios u përplas me policinë, me këta të fundit që u përgjigjën me topa uji, tymuese dhe forcë. Janë sekuestruar gjithashtu disa shkopinj dhe sende të forta.
Objekte të shumta, shishe dhe sende të tjera u hodhën nga tifozët drejt forcave të policisë në rrugë. Përveç përdorimit të topave të ujit, policia ka hedhur edhe bomba tymuese për të shpërndarë turmën.
Ngjarja – Tensionet u rritën kur një grup prej rreth 300 tifozësh të Romës u përpoqën të lëviznin nga sheshi ‘Mancini’ drejt ‘Ponte Milvio’, një zonë e dedikuar për fluksin e tifozëve të Lazios, por u ndeshën me një linjë policie.
Rruga e kundërt u mor nga mbështetësit bardheblu dhe në atë moment policia filloi të sulmonte turmën, duke përdorur topa uji dhe duke hedhur bomba tymuese.
Gjatë përleshjeve janë dëmtuar disa makina të parkuara, janë përmbysur kazanët e mbeturinave, si dhe mobiljet e jashtme të ambienteve të zonës. Ky ishte vetëm një nga episodet që karakterizuan pasditen romake.
Pikërisht pas drekës, një grup tifozësh të huaj dhe një grup mbështetësish të Romës për pak u përplasën në zonën e rrugës Pinturicchio, duke shkaktuar dëme në makina dhe semaforë në zonë, njëra prej të cilave u shkëput nga rruga.
Precedentët – Në mesin e janarit 2024, derbi i kryeqytetit u rikthye të luhej natën pas disa sezonesh, me të dyja grupet e tifozëve që kaluan një test pjekurie. Gjithsesi, policia kishte siguruar zonën përreth stadiumit që në ditët para ndeshjes dhe fatkeqësisht me këtë rast tensioni jashtë ambienteve të lojës kërkoi një ndërhyrje të policisë.
Në gatishmëri janë rreth 1500 oficerë, plus karabinierët, policinë financiare dhe policinë lokale

