Aktualitet
Parada Ushtarake në Zagreb – Kroacia fton partnerët strategjikë SHBA, Kosovë, Shqipëri, Ukrainë…

Kroacia ka planifikuar një paradë ushtarake më 5 gusht 2025 në Zagreb për të shënuar 30-vjetorin e Operacionit “Stuhia”, një ngjarje kyçe në historinë e saj ushtarake. Presidenti Zoran Milanović e ka cilësuar këtë paradë si një mënyrë për të nderuar mbrojtësit kroatë dhe për të treguar forcën e Forcave të Armatosura të Kroacisë. Sipas informacioneve jozyrtare që po qarkullojnë, Kroacia ka ftuar një sërë vendesh aleate për të marrë pjesë në këtë ngjarje madhore.
Në mesin e të ftuarve përmenden Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Turqia, Franca, Gjermania, Kosova, Shqipëria, Ukraina dhe Polonia. Këto vende konsiderohen partnerë strategjikë të Kroacisë, si në kuadër të bashkëpunimit ushtarak në NATO, ashtu edhe në kuadër të marrëdhënieve të qëndrueshme diplomatike. Në këtë frymë bashkëpunimi rajonal, vlen të theksohet se në mars të vitit 2025, Kroacia, Shqipëria dhe Kosova nënshkruan një deklaratë të përbashkët për krijimin e një aleance ushtarake.
Marrëveshja synon të forcojë bashkëpunimin në fushën e mbrojtjes dhe të kontribuojë në ruajtjen e stabilitetit dhe sigurisë në rajonin e Ballkanit Perëndimor. Parada do të jetë një mundësi për të treguar nivelin e lartë të profesionalizmit dhe pajisjet moderne të Forcave të Armatosura Kroate, ndërsa pritet të pasohet nga ceremoni dhe aktivitete të tjera përkujtimore.
Milanović ka theksuar se “nuk ka festë kombëtare që mund të lidhet më fort, më emocionalisht apo më vërtetësisht me fitoren dhe lavdinë e Ushtrisë Kroate sesa 5 gushti”, duke e cilësuar paradën si një “premtim simbolik për të ruajtur kujtesën e fitores së lavdishme në Luftën e Atdheut”.

