Kosova
Paralajmërimi/ Nëse Vuçiç viziton Moskën, rruga e Serbisë drejt BE-së do të jetë e vështirë

Komisionarja për Zgjerim e Bashkimit Evropian (BE), Marta Kos, ka paralajmëruar se Serbia do ta ketë të vështirë të mbetet në binarët drejt anëtarësimit në BE, nëse presidenti i saj, Aleksandar Vuçiq, viziton Moskën javën e ardhshme.
Kos tha se, megjithatë, i takon Vuçiqit të vendosë nëse dëshiron të shkojë apo jo në Rusi.
Vuçiq ka thënë se do të marrë pjesë në paradën e Ditës së Fitores më 9 maj dhe se do të takohet me presidentin e Rusisë, Vladimir Putin, në Moskë, për herë të parë që nga fillimi i pushtimit të plotë të Ukrainës nga Kremlini.
Marta Kos përsëriti se Serbia, si kandidate për anëtarësim në BE, duhet t’i ketë politikat e saj plotësisht në përputhje me politikën e jashtme dhe të sigurisë të Brukselit deri në kohën e pranimit.
“Megjithatë, marrëdhëniet me Moskën sot nuk mund të jenë ‘sikur nuk po ndodh asgjë'”, theksoi Kos, teksa dhe kujtoi se ka disa kushte që Serbia duhet t’i përmbushë në vazhdimin e negociatave me BE-në në mënyrë që ta hapë kapitullin e tretë.
Si kandidate për anëtarësim në BE, Serbia nuk ka hapur asnjë kapitull negociatash që nga dhjetori i vitit 2021.
Procesi ka ngecur për shkak të refuzimit të saj për ta përafruar politikën e saj të jashtme me atë të Bashkimit dhe për të vendosur sanksione ndaj Rusisë për pushtimin e Ukrainës.
Brukseli kërkon gjithashtu përparim nga Beogradi në sundimin e ligjit dhe në dialogun me Kosovën

