Rajon
Paralajmërimi/ Vuçiç: 2024-a do sjellë shumë më tepër konflikte se dy vitet e fundit
Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, tha këtë të hënë se viti i ardhshëm do të jetë më i vështiri në historinë moderne të Serbisë.
Sipas tij, viti 2024 do të sjellë shumë më tepër konflikte dhe trazira, raporton B92.
“Kam frikë se viti 2024 do të sjellë shumë më tepër konflikte dhe trazira se viti 2022 dhe viti 2023, përfshirë kërcënimet ndaj popullit serb në Kosovë dhe Republikën Srpska, por edhe në pjesë të tjera të rajonit. Prandaj është jashtëzakonisht e rëndësishme që çdo ditë, duke dëgjuar pikëpamje dhe mendime të ndryshme, të arrijmë në një emërues të përbashkët se si ta ruajmë lirinë”, tha Vuçiç gjatë një aktiviteti në Beograd.
Ai ka folur edhe për rënësinë e kompromisit, që, sipas tij, do të siguronte që “shteti të mos heqë dorë nga territori apo populli i tij”, duke theksuar njëkohësisht se duhet pritur gjithmonë “rasti më i favorshëm që e vërteta të dalë në dritë”. Ai shtoi se Serbia “do të përpiqet të ruajë paqen” në Ballkanin Perëndimor.
“Ne duhet të përpiqemi gjithmonë për kompromis, por kurrë nuk duhet të heqim dorë nga ajo që është e jona, nuk duhet të heqim dorë as nga e drejta publike ndërkombëtare, as nga territori, as nga populli ynë”, tha Vuçiç.