Connect with us

Shkrime

Paralajmërohet skenar i keq për Kosovën

Çështja e krijimit të Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe në Kosovë është e vjetër dhe e re. Kështu thotë profesori Enver Bytyçi, i cili shprehet se, pas pranimit të marrëveshjes së Brukselit dhe aneksit të Ohrit, vëmendja kryesore e aktorëve rajonalë e perëndimorë është përqendruar te ky Asociacion.

Sipas tij, diplomatët perëndimorë po bëjnë presion për ta themeluar Asociacionin me çdo kusht, madje duke e kushtëzuar këtë me plotësimin e kërkesave të marrëveshjes së fundit për normalizimin e plotë të marrëdhënieve Kosovë-Serbi.

Serbia nga ana e saj bën presion të shtuar ndaj Perëndimit. Përdor agresionin rus në Ukrainë si mjet presioni. Duket sikur hapur thonë se “Nëse nuk plotësohet kërkesa dhe projekti serb për Asociacionin, atëherë do të ketë luftë në Ballkan! Pra, po përdorin Rusinë dhe ambiciet e saj në Rajonin tonë për të krijuar fillimisht një Republikë Srpska në Kosovë e më pas të ndarjen e saj –  thotë professor Bytyçi duke shtuar se gjatë raportimit në Komisionin e Jashtëm të Senatit Amerikan, Gabriel Escobar tha se SHBA duan ta krijojnë Asociacionin, me qëllim që të stabilizojnë situatën në veri të Kosovës!

“Por ndërkohë ambasadori amerikan në Beograd, Hill, vazhdon të këmbëngulë për një Asociacion në variantin e projektit serb. Jam skeptik se mund të stabilizohet gjendja në veri të Kosovës duke ndërtuar një strukturë të pavarur e sovrane të serbëve në këtë pjesë të Kosovës. Përkundrazi, një veprim dhe kompromis i tillë do ta thellojë konfliktin, sepse do t’u japë serbëve dhe Beogradit alibinë e mosbindjes ndaj institucioneve të Kosovës deri në mundësimin e shkëputjes prej saj” – u shpreh Enver Bytyçi

Sipas tij, ajo që i la përshtypje lidhet me faktin se tre përfaqësuesit e DASH-it që raportuan në këtë komision i dhanë më shumë vend qëndrimeve pro-serbe dhe se sa kohë që vazhdon kjo qasje kërkesat europiane dhe ndoshta edhe amerikane do të jenë për një Asociacion jo kushtetues.

“Nëse u jepen këto të drejta me Asociacion serbëve të veriut atëherë nuk duhet të çuditemi kur të vendoset ndarja. Serbët duan të fitojnë edhe autonominë e sigurisë, pa prezencën e policisë, ushtrisë dhe forcave të sigurisë së shtetit të Kosovës”

Profesori pohon se, këto objeksione duhen kundërshtuar dhe hedhur poshtë me neveri, duke shtuar se Albin Kurti, qeveria, presidentja, e gjithë klasa politike duhet të bëhen gardh për ta mbrojtur Kosovën.

Advertisement