Kosova
Parandalohet krimi/ Nxënësi planifikoi vrasjen e shokut të klasës
Policia e Kosovës ka zhvilluar një aksion, në rajonin e Pejës, që rezultoi me arrestimin e një të mituri që dyshohet për veprën penale “Përgatitja e veprave penale terroriste ose veprave penale kundër rendit kushtetues dhe sigurisë së Republikës së Kosovës”.
Gazeta ‘Sinjali’ raporton se në bazë të informacioneve të para, i dyshuari kishte planifikuar një sulm për t’i vrarë nxënësit e klasës së tij. Nga Prokuroria Themelore në Pejë e kanë konfirmuar se ky rast tashmë po hetohet nga Prokuroria Speciale.
“Për këtë çështje penale kontaktoni me Prokurorinë Speciale për shkak se është në kompetencë të tyre”, tha zëdhënësi i Prokurorisë në Pejë, Shkodran Nikçi.
Prokuroria Speciale ka ushtruar kërkesë për caktimin e masës së sigurisë ndaj të dyshuarit, i cili ndodhet nën masën e ndalimit policor. Ndërkohë nga Policia nuk kanë dhënë detaje të tjera përveç njoftimit për arrestimin e të dyshuarit.
“Pejë/07.10.2023-12:10. Është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar nën dyshimin se i njëjti paraqet kërcënim. Me vendim të prokurorit, i dyshuari është dërguar në mbajtje.”-thuhet në njoftimin e Policisë.