Connect with us

Bota

Parlamenti Europian shpall Rusinë ‘sponsor të terrorizmit’

Rusia është shtet sponsorizues i terrorizmit. Kjo është përmbajtja e rezolutës së votuar me shumicë dërrmuese (494 vota pro, 58 kundër dhe 44 abstenime nga 596 të pranishëm) nga seanca plenare e Parlamentit Evropian në Strasburg. Sipas eurodeputetëve, bombardimet dhe sulmet ruse në Ukrainë kundër civilëve do të klasifikohen si akte terroriste të Moskës.

Por jo vetëm kaq…Përveç këtij etiketimi, eurodeputetët po kërkojnë edhe nga Komisioni Evropian dhe Këshilli që të veprojnë më me vendosmëri ndaj Kremlinit.

“I kërkojmë Komisionit dhe Këshillit të zhvillojnë instrumente të veçanta ligjore, sepse për momentin Bashkimi Evropian nuk ka legjislacion të ngjashëm me atë të amerikanëve që kanë një ligj të veçantë për përcaktimin e shteteve që sponsorizojnë terrorizmin”, shpjegoi eurodeputeti, ish-kryeministri i Lituanisë, Andrius Kubilius.

Votimi mund të hapë rrugën që presidenti Vladimir Putin dhe qeveria e tij të jenë përgjegjës për çdo krim lufte.

Por jo të gjithë janë në favor të etiketimit të Rusisë në këtë mënyrë.

Për shembull, deputeti hungarez, qeveria e të cilit është një nga të paktat ende pro Putinit në Evropë, argumenton se vëmendja duhet të përqendrohet në përfundimin e luftës.

Eurodeputetët gjithashtu u bëjnë thirrje qeverive të BE-së që të përshpejtojnë procesin e përfundimit të një raundi të ri sanksionesh kundër Kremlinit. Por votimi nuk është detyrues, që do të thotë se shtetet anëtare mund të zgjedhin nëse do ta injorojnë apo jo.

Advertisement