Aktualitet
Partitë përdorin diasporën për të marrë më shumë para publike për zgjedhjet e 11 majit
Drejtoresha e Buxhetit në Ministrinë e Financave, Mimoza Dhëmbi, duke iu referuar zgjedhjeve të vitit 2021 që merren për referencë për ndarjen e fondeve, pohoi se në atë kohë partitë kanë pasur në dispozicion 130 milionë lekë të rinj.
“Sot, nga ana juaj, ne duam të merrni vendimin se sa do jetë fondi i fushatës së majit 2025. Për informacion, në zgjedhjet pararendëse të të njëjtit lloj, që janë zgjedhjet e 2021-it, për fushatën elektorale janë alokuar 130 milionë lekë,” pohoi Dhëmbi.
Ky fond u konsiderua i pamjaftueshëm nga kryetari socialist i Komisionit të Ekonomisë dhe Financave, Eduart Shalsi, i cili propozoi rritjen me 20 milionë lekë të rinj.
“Duke qenë se në këto zgjedhje kemi një specifikë që nuk e kemi pasur në zgjedhjet e mëparshme, unë do t’i propozoja Kuvendit që të shtonin shifrën nga 1.3 në 1.5. Në këto zgjedhje, partitë politike po shpenzojnë, duke qenë se kemi diasporën dhe kemi parë eksponentët politikë të të gjitha krahëve të vizitojnë bashkatdhetarët tanë që jetojnë jashtë,” tha Shalsi.
Pa kundërshtime nga asnjë anëtar, ky vendim u miratua me unanimitet dhe tashmë partitë politike do të kenë më shumë mundësi për të takuar edhe shqiptarët që jetojnë jashtë vendit.
Referuar vendimit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve të datës 22 korrik 2021, për caktimin e vlerës në para të një vote të vlefshme, çdo fletë përkthehet në një bonus prej 85 lekësh për partitë që kanë kaluar pragun 1% në rang kombëtar.
Por, referuar vendimit të kësaj të marte, tashmë përllogaritja e vlerës së një vote të vlefshme nga 85 lekë shkon në 97.8 lekë. Në këtë mënyrë, sërish pjesa e luanit shkon për Partinë Socialiste, e cila do të marrë gati gjysmën e vlerës së shtuar.
Partia Socialiste (PS), si partia me numrin më të madh të votave (768,134), do të marrë shumën më të madhe, plot 75,123,505 lekë. Partia Demokratike (PD-AN) do të përfitojë 60,908,568 lekë për 622,787 vota të fituara. Partia e Lirisë (PL) do të marrë 10,517,216 lekë për 107,538 vota, ndërsa Partia Socialdemokrate (PSD), me 35,475 vota, do të marrë 3,469,455 lekë. Kjo ndarje reflekton fuqinë elektorale të secilës parti në zgjedhjet e fundit.
Shpërndarja finale e parave do të bëhet nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve jo më vonë se pesë ditë nga regjistrimi i listave të kandidatëve për deputetë. Gjithsesi, filtri final është korrektësia e partive politike në raport me paratë publike, ku nëse ndonjë prej forcave të mësipërme nuk ka respektuar ligjet në fuqi, rrezikon të mos përfitojë asnjë fond publik./ BIRN