Connect with us

Politike

Pas Berishës, Basha ‘derdh jashtë’ thesin me euro: Dy mijë për çdo bebe, 20 mijë euro për fëmijën e tretë

Kryetari i Demokratëve Euroatlantikë, Lulzim Basha, ka theksuar se shpopullimi dhe rënia e lindshmërisë janë kërcënime serioze për të ardhmen e Shqipërisë. Ai ka apeluar për politika konkrete që mbështesin rinisë dhe familjet, duke propozuar masa të tilla si: 2,000 euro për çdo bebe të lindur, 20 mijë euro për fëmijën e tretë dhe mbulim të plotë të interesit të kredisë për 30 mijë çifte të reja.

Basha ka deklaruar se familja është në qendër të programit të Demokratëve Euroatlantikë dhe ka premtuar të ndalojë harxhimet e kota në koncesione dhe PPP korruptive për të investuar paratë e taksave në mirëqenien e familjeve shqiptare.

Postimi i plotë i Lulzim Bashës

Shpopullimi dhe rënia e lindshmërisë po kërcënojnë të ardhmen e vendit tonë. Në një realitet ku kostoja e lartë e jetesës, pagat e ulëta dhe pamundësia për të siguruar një banesë të parë po i detyron të rinjtë të shtyjnë planet familjare, është koha për politika konkrete që mbështesin rininë dhe familjet. Vetëm me një ekonomi që krijon kushte për të jetuar e punuar me dinjitet, produkt i një qeverie të re që lufton frontalisht korrupsionin dhe administron me përgjegjshmëri dhe transparencë taksat e qytetarëve, do të mund të frenohet ky trend i rrezikshëm dhe të sigurojmë një Shqipëri më të fortë e më të begatë. Familja është në qendër të programit të Demokratëve Euroatlantikë për zgjedhjet e 11 majit. Përmes Fondit për Mirëqenien e Familjes –i japim fund harxhimeve të kota në koncesione e PPP korruptive, duke i vendosur paratë e taksave në shërbim të familjeve shqiptare. Ne propozojmë subvencione konkrete dhe të drejtpërdrejta:

2,000 euro për çdo bebe; 20 mijë euro për fëmijën e tretë; Mbulim i plotë i interesit të kredisë së banesës për 30 mijë çifte të reja. Familja shqiptare është e para për ne, sepse Shqipëria meriton më shumë.

Advertisement