Bota
Pas Kanadasë dhe Australisë, dhe Mbretëria e Bashkuar njeh Palestinën

Kryeministri britanik, Keir Starmer, ka njoftuar zyrtarisht njohjen e shtetit palestinez nga Mbretëria e Bashkuar, në atë që shihet si një ndryshim i madh në politikën e jashtme të Mbretërisë së Bashkuar.
Kjo vjen menjëherë pasi Kanadaja dhe Australia vendosën të njohin Palestinën si shtet sovran.
Lëvizja e kryeministrit ka tërhequr kritika të ashpra nga qeveria izraelite, familjet e pengjeve të mbajtura në Gaza dhe disa konservatorë.
Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu deklaroi më parë se njohja e një shteti palestinez “shpërblen terrorin”.
Përpjekjet për të siguruar një armëpushim në Gaza – e lëre më një zgjidhje afatgjatë për konfliktin Izrael-Palestinë – kanë dështuar.
Izraeli kohët e fundit shkaktoi zemërim ndërkombëtar kur kreu një sulm ajror ndaj një ekipi negociator të Hamasit në Katar.
Burime qeveritare thanë për BBC se situata në terren ishte përkeqësuar ndjeshëm gjithashtu në javët e fundit.
Ata përmendën imazhe që tregonin urinë dhe dhunën në Gaza, të cilat Starmer më parë i përshkroi si “të patolerueshme”.

