Politike
Pas reagimit të Ramës/ Dorëhiqet kryebashkiaku i Himarës, Gjergj Goro
Dy ditë pas reagimit të Edi Ramës, kryebashkiaku në detyrë i Himarës, Gjergji Goro, ka dhënë dorëheqjen. Mësohet se dorëheqja është depozituar pasditen e djeshme te Prefekti i Vlorës.
Rama në reagimin e tij tha se “kryebashkiaku ende në zyrë nuk e ka legjitimitetin për të drejtuar bashkinë në mungesë të fituesit” dhe paralajmëroi “nevojën e daljes nga ky ngërç përmes ndërprerjes së vazhdimësisë së qëndrimit në detyrë të kandidatit humbës, bazuar në praktikat më të mira europiane për sigurimin e shërbimeve publike në bashkinë e Himarës”. Ky reagim i kryeministrit kënaqi edhe Athinën zyrtare. Ministri i Jashtëm grek, Gerapetridis e përshëndeti qëndrimin e Ramës si një akt për kapërcimin e tensionit të krijuar pas arrestimit të Belerit.
Himara pas dorëheqjes së Goros do të drejtohet ose nga një prej dy nënkryetarëve nga prefekti i qarkut ose nga një administrator i caktuar përkohësisht prej qeverisë. Pasi të ketë një vendim të formës së prerë nga gjykata do të vendoset edhe për fatin e Fredi Belerit, nëse do të betohet ose jo si kryebashkiak i Himarës apo do të shkohet në zgjedhje të reja.
Gjergj Goro ngjan të jetë një “kokë turku” e Edi Ramës për të balancuar krizën që ai shkaktoi me Athinën zyrtare pas arrestimit të Fredi Belerit.
Kujtojmë se presioni i Greqisë ndaj Shqipërisë për ta lejuar së paku të betohet si kryebashkiak, arriti kulmin me vendimin e Mitsotakis për të vendosur veto ndaj vijimit të negociatave të Shqipërisë me BE-në.
Më herët Edi Rama ishte përjashtuar edhe nga një takim me liderët e Ballkanit Perëndimor që kryeministri i Greqisë kishte thirrur në Athinë.
Aktualisht duket se janë ezauruar të gjitha vendimet e gjykatave shqiptare për të lejuar Belerin të betohet si kryebashkiak i zgjedhur. Ndërkohë që vijon procesi penal ndaj tij për akuzën e blerjes së votave.